
Sapo ka dalë nga qendra e numërimit, ai është takuar me simpatizantët e Partisë Socialiste, të cilit po e prisnin me brohorima dhe ovacione. “Ky ishte vendimi i bashkëqytetarëve, e vlerësoj”, tha Krali, duke u përqafuar me mbështetësit.

Në sallë duket se janë njohur me rezultatin që favorizon Qosen, por sipas KQZ, deri tani në Kavajë janë numëruar 62 nga 92 kuti dhe rezultati është:
- Fisnik Ymer Qosja Bashkë Fitojmë 7776
- Redjan Gjergj Krali Partia Socialiste 7397

Partia Socialiste kishte pritshmëri për të marrë dhe Bashkinë e Kavajës, por rezultati ka ndryshuar menjëherë pasditen e sotme me hapjen e kutive të tjera. Redjan Krali ishte favorit prej nisjes së numërimit, mirëpo në orët e fundit epërsinë e ka marrë kandidati Fisnik Qosja.
Krali e ka drejtuar Kavajën në katër vitet e fundit dhe një sërë projektesh të rëndësishme mbajnë firmën e tij, nga turizmi te rindërtimi e infrastruktura. Por mesa duket, diçka nuk ka shkuar mirë në fushatën e tij.
“Të prenë në besë”, u dëgjuan t’i thonin simpatizantët Redjan Kralit sapo ai doli nga qendra e numërimit.