Partia Socialite përmes zëdhënëses Bora Muzhaqi ka kërkuar nga KQZ që t’u kërkojnë falje publike votuesve, të cilët u larguan pa votuar për shkak të problemeve të pajisjeve të identifikimit elektronik.
Në një deklaratë për mediet Muzhaqi ftoi qytetarët që të votojnë për një të ardhme më të mirë.
“KQZ duhet t’i kërkojë ndjesë qytetarëve që nuk votuan në fillim. Partia Socialiste ju lutet të gjithë atyre që nuk votuan në orët e para të mëngjesit që të rikthehen gjatë ditës. Të bëjnë detyrën e tyre qytetare duke votuar.
Kushdo prej nesh që voton, voton dhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë. Prandaj thirrja jonë është votoni, votoni dhe vetëm votoni”, tha Muzhaqi nga selia e PS.
Theksojmë se mëngjesin e sotëm në disa qendra votimi pati pjesëmarrje të ulët të votuesve, për shkak të problemeve me pasjisjet e identifikimit elektronik.
Por në një deklaratë për mediet kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi pohoi se në mëngjes pati probleme të tilla, por tani situata ka kaluar dhe procesi i votimit po vijon normalisht.