Erion Isai, kryebashkiak i Ersekës dhe aktualisht kandidat i Partisë Socialiste në këtë bashki për një mandat të dytë, është dhunuar gjatë natës. Mësohet se Isait i është bërë pritë nga simpatizantët e një force tjetër politike dhe është qëlluar me grushte.
Ngjarja ka ndodhur teksa Erion Isai kthehej në shtëpinë e tij, me makinën zyrtare të Bashkisë Ersekë, kur i është bërë pritë nga simpatizantët e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta.
Një shtetas me inicialet E.K, i ka dalë përballë kryebashkiakut të Ersekës dhe e ka qëlluar me grushte. Ky i fundit raportohet se nuk ka reaguar, por ka njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka bërë shoqërimin e agresorit të dyshuar.
Mediat raportojnë se kryebashkiaku Erion Isai ka qenë në fshatin Qafëzezë, duke u kthyer në banesën e vet, kur disa simpatizantë të opozitës i kanë bllokuar rrugën dhe fillimisht e kanë kërcënuar. Madje, raportohet se i pranishëm ka qenë dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Ethem Lumani.
Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Korçë, por as vetë nga Erion Isai. Kjo është ngjarja e parë e kësaj natyre që regjistrohet në këto zgjedhje.
Opozita pretendon se Isai bënte fushatë në një kohë që ajo është mbyllur dhe se janë provokuar prej këtij të fundit.