Mbretëria e Bashkuar ka konfirmuar se po furnizon Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi që vendi kërkoi për luftën kundër forcave pushtuese ruse. Raketat e lundrimit “Storm Shadow” kanë një rreze prej mbi 250 kilometra.
Ndërkohë, raketat Himars të dërguara nga SHBA dhe të përdorura nga Ukraina kanë një rreze veprimi prej rreth 80 kilometrash.
Armët do t’i japin Ukrainës “shansin më të mirë” për të mbrojtur veten, tha Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace. Ato lëshohen nga avionët, kështu që distanca më e madhe do të thotë që pilotët ukrainas do të jenë në gjendje të qëndrojnë më larg nga vijat e frontit.
Sapo të lëshohet, raketa e quajtur “Hija e Stuhisë” bie në lartësi të ulët për të shmangur zbulimin nga radari i armikut. Wallace tha se raketat “do të lejonin Ukrainën të shtyjë forcat ruse jashtë territorit sovran të Ukrainës.”
Më herët këtë vit, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksii Reznikov këmbënguli se raketat me rreze më të gjatë nuk do të përdoren për të sulmuar objektivat brenda vetë Rusisë. “Ukraina është e gatshme të japë çdo garanci se armët tuaja nuk do të përfshihen në sulmet në territorin rus”.