SPRINT NEWS ALBANIA

Aktualitet

Vdes Llambi Gegprifti, ish-kandidati i Byrosë Politike të PPSH-së

Është ndarë nga jeta në moshën 81-vjeçare Llambi Gegprifti, ish-ministër dhe ish-kandidati i Byrosë Politike të Partisë së Punës.

Gegprifti ka mbajtur poste të rëndësishme gjatë periudhës komuniste si zëvendës ministër i Mbrojtjes dhe më pas ministër i i Industrisë dhe Minierave në qeverinë e parë të kryeministrit Adil Çarçani.

Në Shqipërinë post-komuniste, Gegprifti u dënua me 20 vite burg për aktivitetin e tyre gjatë diktaturës.

Lajmin për ndarjen nga jeta të tij e ka bërë me dije vazja, Sonila Qato.

“Llambi Gegprifti! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë! Në këtë ditë të bukur fillim maji ti mbylle sytë përgjithnjë, duke na hidhëruar zemrën, për të qenë i pavdekshëm për ne vajzat e tua, mamin, niperit e mbesat. Na ke lënë pas pasurinë më të madhe, jetën tende të ndershme, emrin tënd që na ka bere gjithnjë të ndihemi krenare! Lamtumirë babi ynë i shtrenjtë”, shkruan ajo në rrjetet sociale.

Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet ditën e martë në orën 13:00 në varrezat e Sharrës. Ndërsa ceremonia mortore so të zhvillohet sot dhe nesër në ambientet e “Funeral Home Alba”.

Kush ishte Llambi Gegprifti

Llambi Gegprifti lindi më 14 shkurt 1942, në Pogradec. Ai ishte ish-politikan shqiptar dhe kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor të Qarkut të Tiranës nga viti 1986 deri në 1987 dhe nga 1989 deri në 1990. Ai ka qenë kandidat -anëtar i Byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë për vitet 1971, 1976, 1981 dhe 1986.

Në korrik të vitit 1974, Gegprifti u zgjodh zëvendësministër i Mbrojtjes. Së bashku me Hekuran Isain, Pali Miskën dhe Qirjako Mihalin ishte një nga drejtuesit e gjeneratës së re brenda Partisë së Punës të Shqipërisë. Në vitin 1978 zgjidhet anëtar (përfaqësues i Qarkut të Pogradecit) dhe deputet i parë i Kuvendit Popullor. Më 15 janar 1982 emërohet Ministër i Industrisë dhe Minierave në qeverinë e parë të kryeministrit Adil Çarçani, detyrën e mbajti deri më 23 nëntor 1982.

Nga 20 shkurt 1987 deri më 2 shkurt 1989 ishte sërish ministër i Industrisë dhe Minierave në Qeverinë e tretë Çarçani. Më 13 dhjetor 1993 ai është dënuar me 8 vjet burg nga një gjykatë speciale në Shqipërinë postkomuniste për “shpërdorim fondesh”. Ai kreu vetëm një vit burg dhe u lirua nga Gjykata e Apelit më 30 nëntor 1994. Gegprifti u largua nga Shqipëria në vitin 1995.

Më 29 shtator 1996, Gjykata e Rrethit të Tiranës akuzoi nëntë ish-drejtues të PPSH- së se “kanë kryer krime kundër njerëzimit në bashkëpunim me njëri-tjetrin”, konkretisht “…duke qenë në poste të larta partiake dhe shtetërore, kanë vepruar jo në bazë të ligjit. por kanë kënaqur pasionet dhe udhëzimet e tyre të padrejta”.

Nëntë të pandehurit morën këto dënime: Llambi Gegprifti, Shkelqim Bajraktari dhe Nazmi Domi me 20 vjet burg, Irakli Vero dhe Veiz Haderi me 16 vjet burg, Suljeman Abazi, Idajet Beqiri, Lenka Çuko dhe Agron Tafa me 15 vjet burgim.

Gegprifti dhe katër të tjerë u dënuan në mungesë. Të gjithë morën afatin minimal të dënimit pas ligjit për krimet kundër njerëzimit në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Akuzat u hoqën më vonë pas trazirave të vitit 1997.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?