Një gol i Dia-s në minutën e 84-t i prishi festën një qyteti të tërë. Pas humbjes së Lazio-s në “San Siro” përballë Inter-it, në Napoli të gjithë ishin përgatitur për festën e titullit, por Salernitana i prishi llogaritë.
Pavarësisht këtij përfundimi, në Napoli atmosfera mbetet elektrizuese, mund të shpërthejë këtë mesjavë, nëse Lazio nuk fiton kundër Sassuolo-s, në këtë variant dalin kampion matematikisht nga divani të mërkurën, në të kundërt mund të festojnë të enjten pas ndeshjes kundër Udineses.
Kjo sfidë është në program për tu zhvilluar në orën 20:45, por sipas të gjithë gjasave pritet të afrohet në orën 18:30, kjo me kërkesë të drejtueseve të Napolit dhe autoritete të qytetit. Ideja është që në “Maradona” të instalohen dy ekrane gjigantë, por në stadium do të futen vetëm ato tifozë të cilët ishin të pranishëm gjatë ndeshjes kundër Salernitana-s.