Kryeministri Edi Rama në Durrës
Kryeministri Edi Rama ka marrë pjesë sot në një takim elektoral në qytetin e Durrësit, ku ka prezantuar kandidaten socialiste për kryetare të Bashkisë, Emirjana Sako.
Në stadiumin e tejmbushur të qytetit, Rama nuk ka kursyer as batutat, teksa konkurrentin e koalicionit Bashkë Fitojmë e ka quajtur si “kungull” që do ta fusë Durrësin në “zorrën qorre”.
“Durrsakët nuk kanë pse votojnë për Like Floririn”, tha Rama, teksa përmendi disa prej projekteve qeveritare që tha se do i japin një zhvillim të madh jo vetëm qytetit bregdetar, por gjithë rajonit.
“Prapa kësaj pasqyre të pastërtisë qëndron një grua. Unë hera e parë që e kam parë, e pashë në Zoom, i thashë ti gocë merr krevatin dhe shko në shtëpi, se kjo punë pas tërmetit do 24 orë. Por unë e di shumë mirë që ajo shkon vonë në shtëpi, jo sepse shkon në klub, por bredh rrugëve të Durrësit për të kontrolluar pastërtinë. Më thanë këtu që unë kam thënë që është çun i mirë, unë s’e kam thënë, nuk e njoh. Unë s’kam motër për të martuar. Në 14 maj populli do zgjedhë kë të marrë në punë, Anin e kemi shalqi me provë, pse do marrë një kungull që ka dalë nga zorra qorre? Unë e hoqa zorrën time qorre, se e mësova nga operacioni, tani do e marrë Durrësi zorrën qorre?
Si do dalin këto gra nga shtëpia dhe të shkojnë të votojnë Like Floririn? Me Like Floririn fiton vetëm Monika Floriri. Durrësin tashmë ne e kemi futur në një tjetër shpejtësi zhvillimi. Me projekte që jo vetëm do të kenë impakt në Durrës e Shqipëri, por në të gjithë rajonin. Porti i ri në Porto Romano është një dalje e vendit tonë në një zonë të rëndësisë ekonomike për të gjithë rajonin. Do të jetë një port ultra modern. Stadiumi i ri, programet e arteve, të kulturës të sporteve vetëm duhet t’i çojmë përpara”, u shpreh Rama.