Muaji i Ramazanit, është koha më e vlefshme e kalendarit për besimtarët myslimanë në gjithë botën. Kjo për shkak se Agjërimi që mbahet në këtë muaj, është një nga pesë shtyllat e besimit islam.
Në këtë muaj sipas besimit Islam, ka zbritur libri i shenjtë i Kuranit si një vlerë e paçmueshme për njerëzimin.
Gjatë muajit të ramazanit ata të cilët vendosin të agjërojnë për hir të Zotit, nuk konsumojnë asnjë thërrime buke apo pikë uji që prej syfyrit e deri në kohën e iftarit. Nuk është e lehtë që që prej lindjes së diellit dhe deri në perëndim të mos konsumosh asgjë, por nijeti që ti po kryen një sakrificë për hir të Zotit, e mund çdo etje që mund të kesh.
Të agjërosh nuk është vetëm të rrish pa ngrënë e pa pirë, por të bëhesh një njeri edhe më i mirë, të mos flasësh keq për tjetrin, të mos jesh ziliqar, fyes, i pasjellshëm. Të jesh pranë atij që ka nevojë, ta ndihmosh të varfrin, të moshuarin, të pamundurin.
Janë 30 ditë në të cilat njeriu kupton se çfarë do të thotë të mos kesh, janë 30 ditë në të cilat njeriu falënderon Zotin për atë që ka.
Është një kohë kur t’i afrohesh edhe më shumë me familjarët, shokët, miqtë, të afërmit, nëpërmjet iftareve, e cila është koha që lajmëron fundin e mbajtjes së agjërimit ditor.
Por ndryshe nga çdo vit tjetër, ky muaj, një pjesë e të cilit përkoi me fushatën për zgjedhjet lokale, prodhoi shumë shfaqje ku politikanët, apo kandidatët për kryetarë bashkie shtronin iftare për agjëruesit. Kjo s’ka ndodhur më parë, dhe pedagogë, imamë, e sociologë e lidhin këtë fenomen me fushatën. Sipas tyre ka një garë mes të gjithëve se kush shtron më shumë iftare dhe kush tregon se është më shumë afër besimtarëve mysliman.
Mërtiri thotë se nuk është kundër iftareve të organizuara nga institucionet, pasi do duhet që të ruajmë edhe marrëdhëniet institucionale. Por ato sipas tij duhet të jenë mes drejtuesve të institucioneve, dhe të mos lidhen me besimtarët.Pedagogu dhe gazetari Lutfi Dervishi në një shkrim të tijin në rrjetet sociale e krahason situatën me atë se çfarë ka thënë një politikan Italian.
“Pse shkon në Kishë, kur t’i nuk beson në Zot?
Zoti, nuk voton, por kardinalët po,- u përgjigj politikani i njohur italian Andreoti. Kjo përgjigje ndoshta vlen për pyetjen: çfarë kërkojnë politikanët dhe qeveritarët në iftaret e besimtarëve myslimanë?”
Sipas Dervishit Iftari është një ngjarje festive kur ndahet me miq dhe familjarë. Pyetja që ai shtron është: Çfarë i bën bashkë në një tavolinë njerëzit që besojnë në Zot me ata që për Zot njohin vetëm pushtetin/paranë?
Këtë përgjigje e jep sociologu Ergys Mërtiri.
Facebook-u gjatë këtij muaji ka qënë plot me fotografi dhe video të politikanëve nëpër tavolina iftari. Dikush duke cituara ajete kuranore, e dikush tjetër duke predikuar si të ishte në vend të imamit dhe jo një politikan i cili ka përgjegjësi dhe detyra të tjera ndaj komunitetin ku jeton.
efekte te iftareve nga politikane dhe kandidate për kryetar bashkie.
Gazetari Dervishi vazhdon në rrjetet e tij sociale se arsyeja që politikanët shkojnë në xhami, kishë, apo teqe, është një dhe i vetëm, vota e besimtarëve.
Pse nuk lënë rast politikanët për të shkuar në xhami/teqe/kishë? Përgjigjen e jep historia e ri nisë së një intelektuali par excellence:
“Babai im me pyeti një ditë, kur isha mjaft i ri: A e di ti përse shkojnë njerëzit në kishë? Unë iu përgjigja: për të bërë sherbesat fetare.
– Jo, me tha babai, ata shkojnë për me pa dhe me u pa!”
Për herë të parë në prag të kësaj fushate zgjedhore, ndodh që një kandidat për kreytar bashkie që i takon besimit ortodoks, të shkojë në xhami dhe jo vetëm kaq, por të marrë mikrofonin, të zerë vendin e imamit e të predikojë përpara besimtarëve. Bëhet fjalë për kandidatin e PS-se për Bashkinë e Kavajës, Redjan Krali.
Nga vëzhgimi që kemi bërë në rrjetet sociale, Redjan Krali mund të quhet kampion i iftareve, duke shtruar thuajse çdo natë, madje duke cituar ajete kuranore, apo thënie profetike.
Pasinqerteti i gjithë këtyre veprave, vërtetohet edhe me një banderolë e cila është vendosur në qytetin e Kavajës nga Bashkia, ku shkruhet për Fitër Bajramin, Gëzuar Kurban Kajramin, duke ngatërruar dy festat e myslimanëve.
Iftare janë shtruar edhe nga kandidati i koalcionit bashkë fitojmë në Kavajë, Fisnik Qosja, por të cilat janë shumë më të pakta në numër se iftaret e Redjan Kralit.
Deklarata më e sinqertë sesi politika përdori muajin e Ramazanit për të bërë vota, vjen nga Shkodra, ku ministrja Edona Bilali, shkruan në rrjetin e saj facebook, se ka shtruar iftar për besimtarët e ZAZ 3, 4, 5.
ZAZ do të thotë, Zonat e Administrimit Zgjedhor. Dhe besimtarët për Ministren e qeverisë Rama, janë thjeshtë vota.
Ky rast u komentua edhe nga Lutfi Dervishi.
Çfarë kuptimi ka një iftar kur politikania/ministria shkruan në Facebook: “Këtë herë në iftarin e shtruar në respekt të besimtarëve të ZAZ 3, 4, 5,”? Të paktën ky është një deklarim i sinqertë, por më kulmi i hipokrizisë është kur dëgjon fjalime të bukura nga ata që urinë e provojnë vetëm kur është fjala për pushtet?! Dhe në këto raste të kujtohet proverbi: gjuha është për të fshehur mendimet!
Rasti tjetër vjen nga Bashkia e Kukësit, ku kandidati për Kryetar Bashkie, Safet Gjici, përvec se ka shkuar në çdo zonë për të shtruar iftar, nuk ka lënë jashtë nga kjo histori edhe fëmijët e vegjël, të cilët i paraqet si agjërues në këtë muaj.
Pas nuk mbetet as kryeqyteti i Shqipërisë Tirana. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, ka shtruar mjaft iftare, duke i ndarë zonat në njësi, dhe jo thjesht në besimtarë që agjërojnë.
Në këtë muaj, prag fushate Veliaj ka planifikuar të inauguruar objekte të reja fetare.
Edhe kandidati tjetër për Bashkinë e Tiranës, Belind Kellici, ka shtruar iftare për besimtarët myslimanë, në një numër më të paktë dhe pa vizita në xhami.
Ajo se çfarë ka ndodhur gjatë këtij muaji Ramazani, është e paprecedentë. Ka tërhequr vëmendjen edhe të teologut Gazment Aga, i cili veprimtarinë e tij e ushtron në Amerikë.
Na keni marrë gjithçka. Mos na e merrni edhe iftarin.
Na lini diçka ku nuk jeni ju! Na lini vetëm në këtë muaj të reflektojmë e adhurojmë Zotin tonë. Na lini pak hapësirë ku të flasim rahat për këtë vend; kush e solli në këtë derexhe dhe pse akoma largohen të rinj e të reja nga një prej vendeve me potencialet më të mëdha në botë. E kthyet Shqipërinë në vendin më të varfërit më të shumtë në rajon, por me politikanët më të pasur në botë. Keni bërë aq shumë zullum, sa puna më e mirë që mund të bëni është të mos jeni shumë prezentë në çdo pore të shoqërisë. i doli lezeti edhe atij tubimi ku mblidheshin njerëz nga kultura dhe fe të ndryshme rreth një tryeze për të ngrënë një kafshatë së bashku në shenjë harmonie e paqeje. Edhe atë e morët.
Bravo ju qoftë!
Sociologu Mërtiri u bën thirrje besimtarëve por edhe imamëve, të tregohen të kujdeshëm më ndarjen që duhet të këtë besimi dhe politika.
Ndërsa Lutfi Dervishi e thotë qartë, Komiteti Mysliman Shqiptar duhet t’Ia mbyllë dyert politikës.
Nuk ka qenë vetëm kjo hipokrizi arsyeja që 7 vite më parë Kisha Katolike ia mbylli derën politikanëve, pushtetarëve dhe ambasadorëve për Krishtlindje. “Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe e atyre që janë në skajet e shoqërisë tone. Është koha që komuniteti mysliman, si komuniteti më i madh fetar në Shqipëri, të japë shembullin e tij, duke i mbyllur derën politikanëve/pushtetarëve në rastin e festave fetare. Le të jetë feja dhe politika si uji me vajin, të qëndrojnë bashkë, por pa u përzier me njëri tjetrin!
Një politikan nuk mund të bëj detyrën e një imami, sikundër një imam nuk ka punë me politikën. Ndryshe kur këto përzihen, produkti është konflikti, manipulimi, jo e vërteta dhe cënimi i madhështisë së Zotit, nga ata të cilët kanë përgjegjësi ndaj nesh të na përmirësojnë jetën, të na rrisin rrogat, pensionet, të krijojnë vende të reja pune, të ndalin hemoragjinë e shpopullimit masiv. Kjo është detyra e politikanëve dhe për çfarë ata votohen. Të tjerat i mbeten besimtarit në marrëdhënien e tij me Zotin. Xhamia apo kisha ka vend vetëm për besimtarë dhe jo për predikues politikë, që në fund të fundit nuk kanë interes besimin dhe hyjnoren, por votën, pasi ata Zot kanë pushtetin.
Iftari është një moment në të cilin ftohen agjërues, më së shumti të pamundur të cilët e kanë të vështirë të sigurojnë ushqimin e tyre.
Një prej tyre është edhe Ramazani, një endacak që rri nëpër rrugët e Tiranës dhe nuk e ndan librin nga dora. Por edhe pse nuk I ka kushtet. Ai përsëri agjeroni. Teksa bisedova me të, dhe e pyeta nëse ka marrë ndonjë ftesë për iftar nga politikanët? me pak fjalë dha përgjigje për gjithë atë që po ndodh:
C’punë kanë ata me Zotin?