Enkelejd Alibeaj tregon objektivin e PD për 14 Majin: Të ruajmë ekzistencën e PD. Ja 3 bashkitë ku fitojmë.

Intervista Politike

Enkelejd Alibeaj tregon objektivin e PD për 14 Majin: Të ruajmë ekzistencën e PD. Ja 3 bashkitë ku fitojmë.

3 javë para zgjedhjeve, Kryetari i komanduar i PD, Enkelejd Alibeaj po bën përpjekje për të mos rritur pritshmëritë për rezultatin e PD në 14 maj. Në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” ai i shmangu shifrat, por tha se për shkak të agresionit jashtëm dhe të brendshëm synimet politiko-elektorale të PD janë të ridimensionuar. “Synimi aktual është të ruajmë ekzistëncën e partisë, pasi duhet ta pranojmë që ka ndodhur një plagosje e strukturave tona.”- theksoi zoti Alibeaj, i cili synon të gjejë elektoral mes njerëzve që nuk shkojnë fare të votojnë. “Sipas të dhënave zyrtare rezulton se 50% e shqiptarëve refuzojnë me
neveri tre fosilet politike, Ramën, Berishën, Metën. Kur të shohim sa do të jetë përqindja, mbështetja që qytetarët do të na japin, do të bëjmë analizat tona.”- tha zoti Alibeaj. Megjithëse nuk pranoi të flasë me shifra se çfarë do të thotë të ruajë ekzistencën e PD, Enkelejd Alibeaj ka një parashikim se ku pret të fitojnë kandidatët e PD zyrtare nga 14 bashki ku kanë kandiduar. “Po, presim të fitojmë në Finiq, Mallakastër, Dimal.” Kreu i komanduar i PD, nuk e përfshiu Tiranën në hartën e fitores, por tha se Roland Bejko është kandidati i vetëm që përfaqëson të djathtën reale. “Në çdo rast do të jetë sukses.”- u shpreh ai për emisionin “Pa Censurë”.

Antiberishizmi si kartë elektorale, Enkelejd Alibeaj bën deklaratën e fortë: Vendimet në PD e Bashës i merrte Berisha”

Enkelejd Alibeaj është një mga politikanët më të ashpër kundër Sali Berishës, duke e kthyer antiberishizmin në një kartë të rëndësishme elektorale. Në intervistën për emisionin “Pa Censurë” ai tha se Berisha nuk synon fitoren në këto zgjedhje. “Halli i madh i tij është si të mbrohet nga non grata dhe eventualisht nga procedimet penale që mund të vijnë, si rrjedhojë e asaj si është dizenjuar për minim të demokracisë dhe për korrupsion. Zoti Berisha nuk fiton dhe as nuk i çon dot demokratët në fitore.”- u shpreh Enkelejd Alibeaj nga pozicioni i Kryetarit të Komanduar të PD. Por a mund të japë Alibeaj një rast konkret të korrupsionit të zotit Berisha, duke qenë se ka mbajtur funksionin e Drejtorit Antikorrupsion në Kryeministri dhe më pas Ministër i Drejtësisë në qeverinë e parë Berisha? Përgjigja e tij ishte kjo: unë nuk jam me dy standarde. Përfitoj të jap dhe një shpjegim për ata që me kujtojnë se kam qenë ministër i Berishës. Kam qenë ministër i qeverisë shqiptare. Brenda atij që quhet luajalitët politik, çdo ministër duhet të marrë një barrë dhe një detyrim ndaj kryeministrit të momentit. Cila ishte kjo barrë që une besoj ta kem çuar me sukses deri ë fund: që përgjatë shërbimit si ministër të mos ia kem nxirë faqen ministrisë, qeverisë, kryeministrit po të doni. Por nga 2009-2013, kur PD bëri aleancë me LSI, ishte momenti kur qeverisja e PD mori teposhtë. Sa për rast konkret, nëse doni emra kur kam drejtuar Drektorinë Antikorrupsion mund t’ju sjell raportet e kohës nga 2005-2007.”- tha zoti Alibeaj gjatë intervistës për emisionin “Pa Censurë”. Ky ishte një rast, ku Alibeaj nuk kurseu as Lulzim Bashën për të cilin tha se drejtohej ga Sali Berisha. Në një nga rastet e rralla publike, ai i dha të drejtë Edi Ramës, kur në 2021, 1 muaj para shpalljes non grata të Berishës, u thoshtë qytetarëve se vota për Bashën sjell në qeveri Berishën dhe Metën. Pjesë nga intervista me gazetaren Elona Meço për emisionin “Pa Censurë”

Enkelejd Alibeaj: Në 2021 ajo çfarë ishte një lëvizje e gjetur diabolike e Edi Ramës për të nxjerrë fytyrat e vërteta që do të mund të vinin eventualisht në qeverisje Sali Berishën dhe Ilir Metën, besoj e mbani mend kur thoshte “votoni Bashën dhe do të vijë Berisha dhe Meta”. Dhe kjo i rezultoi fitimtare, fatkeqësisht. Edhe tani i ka targetuar të dy, sepse e di që i ka kundërshtarë që i mund në çdo rast.

Elona Meço: E besoni që është e vërtetë, nëse fitonte Basha do të qeveriste Berisha dhe Meta?

Enkelejd Alibeaj: Po, edhe mund të kishte mundësi. Po, po. E them unë këtë, sepse mund t’ju them edhe gjënë tjetër që gjatë kohës që zoti Basha ka qenë në krye të asaj partie zëri i vertetë qe vendoste linjën kryesore thelbësore ishte Sali Berisha.

Rivalitet Alibeaj-Basha për kreun e PD? Enkelejd Alibeaj përgjigjet në “Pa Censurë”.

Vendimin nëse do të kandidojë për kreun e PD zyrtare, Enkelejd Alibeaj duhet ta ketë marrë, por ende nuk e pohon publikisht. “Nuk ka lidhje fare çështja e kandidimit apo jo, pse kush do të kandidojë dhe kur. Erëndësishme është të përcaktosh një mënyrë të re të organizimit të PD.”- u shpreh zoti Alibeaj në intervistën për emisionin “Pa Censurë”, ku tregoi idenë e tij sesi duhet të riorganizohet PD për ta bërë një parti të lirë, ku kandidon çdokush që përcaktohet si proPerëndimot, kundër krimit dhe kundër korrupsionit. Pas 14 majit, në lojën mund të hyjë edhe një lojtar i vjetër si Lulzim Basha, një rivalitet të cilin Enkelejd Alibeaj nuk e lë pa komentuar. “Anëtarët do të vlerësojnë nëse ai që kandidon është i aftë apo jo, ka dhënë apo jo për PD në këtë periudhë vërtet të dhimbshme dhe të sakrificës. Besoj që demokratët do të jenë të aftë për të gjykuar këdo në ambicien që do të ketë. “- u shpreh Enkelejd Alibeaj në emisionin “Pa Censurë”. Më poshtë pjesë nga intervista me gazetaren Elona Meço.

Elona Meço: Do të kandidoni si kryetar i PD?

Enkelejd Alibeaj: Riorganizimi është nevojë e PD pas 14 Majit. Riorganizim në koncept së pari dhe kjo kërkon që të përcaktosh kauzën tënde, ideologjinë, hapësirën e lirisë. Së dyti është modeli, mënyra e organizimit që do të aplikohet në përgjedghe janë të gjitha për t’u vendosur dhe për t’u aplikiar nga struktura drejtuese e PD. Nuk ka lidhje fare çështja e kandidimit apo jo, pse kush do të kandidojë dhe kur. Erëndësishme është të përcaktosh një mënyrë të re të organizimit të PD. Mënyra sesi unë e imagjinoj, dëshira ime, se kjo do të vendoset nga strukturat, është që të jete një parti që garanton: 1. hapësirën e lirisë së mendimit politik brenda partisë. 2. Të bazohet tek vota. 3. Të bazohet tek vlerat kryesore të kësaj partie 4. Të jetë joshëse sa më shumë për të gjitha flukset e shoqërisë, që të behen pjesë e PD, duke grumbulluar atë pjesë të sjëndoshë të shoqërisë. Instrumentat janë nga më të ndryshëm.

Elona Meço: Ju po thoni që do të riorganizoni partinë dhe pastaj do të bëhen zgjedhjet për kryetarin?

Enkelejd Alibeaj: Unë besoj se ajo që është e nevojshme në situatën ku jemi ka nevojë që edhe vetë struktura partiake të pësojë një lloj ndryshimi për mirë.

Elona Meço: Jua bëra pyetjen për kandidimin, pasi shtatorin e kaluar, kur ne kemi bërë bisedën e parë për emisionin “Pa Censurë”, ju e latë hapur këtë mundësi.

Enkelejd Alibeaj: Sepse nuk ishte atëherë dhe nuk është as sot një çështje për t’u diskutuar. Unë nuk jam nga ata që fsheh ambiciet apo që të kem drojë, por jam nga ata që them të vërtetën se cili është interesi kryesor sot i PD. Kryesore është që të kemi një PD që nga ky proces zgjedhor të dalë e fortë, në kuptimin që të ketë farkëtuar ideologjinë e vet, t’u jetë drejtuar mbështetësve të vet dhe më pas kalohet në një fazë tjetër. Në atë fazë tjetër do të marrin pjesë të gjithë. Kushdo që pranon këto vlera kundër krimit, kundër korrupsionit, pro Perëndimit është i mirëseardhur në PD dhe do të ketë hapësirën për të bërë edhe karrierën e vet brenda partisë. Kështu e imagjinoj unë. Të tjerat me kohë.

Pyetje: Nëse ju do të kandidoni për kryetarin e PD, siç unë e shoh të ndodhë, e mendoni Lulzim Bashën si rival?

Enkelejd Alibeaj: Konkluzionet që i nxirrni mund t’i keni të gabuara, pasi unë nuk ju thashë ç’do të ndodhë. Për mua sot është e rëndësishme që PD, e cila në këtë 1 vit e gjysmë është goditur, është plagosur, është penguar, i është marrë fryma etj, do të duhet të dalë pas zgjedhjeve edhe me një rezultat të denjë. Pas 14 majit ajo që duhet të ndodhë duhet të jetë një rikonceptim i mënyrës së organizimit të PD dhe sigurisht do të ketë edhe proces zgjedhor. Në proces zgjedhor çdokush është i lirë dhe kjo është alfa e lirisë, që çdokush të kandidojë. Sigurisht do të jenë votuesit, strukturat e PD që do ta përcaktojnë këtë gjë. Nuk mund të jemi në një sistem të dikurshëm që të përcaktojmë kush kandidonte dhe kush jo, siç bënte në fakt PD deri para pak kohësh. Kjo është një mga gjërat që nuk do të ndodhë më në PD. Pastaj, sipas dëshirës, gjithësecili do të vlerësojë: është i aftë apo jo, ka dhënë apo jo për PD në këtë periudhë vërtet të dhimbshme dhe të sakrificës. Besoj që demokratët do të jenë të aftë për të gjykuar këdo në ambicien që do të ketë.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?