Disa ditë pasi Maqedonia ktheu mbrapsht hoxhën Ahmed Kalaja, me arsyetimin se paraqiste “rrezik”, ai ishte i përzgjedhuri për të bërë “muezinin e Kryeministrisë”, domethënë për të thirrur ezanin në iftarin e shtruar nga Rama.
Ndërsa ky i fundit u rikthye në detyrë pas një operacioni pikërisht me iftarin e ditës së parafundit të Ramazanit, të cilin e ka kthyer në traditë.
Këto ishin dy të veçantat e këtij viti të kësaj tradite mes fetares dhe politikes, përfshirë dhe faktin se fjalimin kortezial kësaj here e mbajti jo Edi por Linda.
Të tjerat qenë të zakonshmet e atyshme, ku bie gjithsesi në sy ajo që elita shqiptare, e ftuar në këtë iftar pos besimtarëve klasikë, atyre me agjerim, rri sus para vaktit musliman teksa thirret ezani dhe nuk guxon të luajë lugë a pirun a të pëshpëris diç, edhe pse larg një ndërgjegjeje fetare të rastit në fjalë.
Ata, në atë moment të një solemniteti fetar, ngjajnë të zellshëm po aq sa besimtarët zellmëdhenj të bindjes ndaj Zotit.