Partia e Lirisë ka dërguar në KQZ shkresën ku thuhet se në fletën e votimit drejtues i koalicionit “Bashkë Fitojmë” është Sali Berisha. Kjo u bë e ditur nga sekretari i përgjithshëm i PL, Endrit Braimllari, i cili ka firmosur edhe shkresën.
“Në emër të koalicionit “Bashkë fitojmë”, si edhe të partive përbërëse të tij, ju informoj për efekt të pasqyrimit korrekt të të dhënave të koalicionit, në fletën e votimit sipas parashikimeve të nenit, 98 të Kodit zgjedhor, se drejtues i koalicionit është deputeti Sali Berisha” thuhet në shkresën që mban firmën e përfaqësuesit të Partisë së Lirisë, Endrit Braimllari.
Theksojmë se ky vendim nga PL vjen një ditë pas takimit të Ilir Metës me Sali Berishën, ku folën për fushatën dhe zgjedhjet vendore të 14 majit.
Kujtojmë se pak ditë më parë Indrit Sefa, përfaqësuesi ligjor i PD zyrtare e drejtuar nga Enkelejd Alibeaj, kërkoi që në fletën e votimit përbri partive përkatëse, të shënohet edhe emri i kryetarit.