Aktualitet

“Kemi 4 fëmijë, nuk kishim cfarë tju jepnim për të ngrënë”, gjykata e shpall të pafajshëm ciftin

Anila Hoxha.

Me djathë e sallam në xhep që i vodhi në frigoriferin e një dyqani, L. Xh. ja kërkoi faljen e parë administratorit duke ju përgjëruar “ të kërkoj falje për gjërat që të kam vjedhur”. Faljen e dytë ja kërkoi policisë, kur oficerët e departamentit për parandalimin dhe hetimin e krimeve nisën të mbajnë procesverbalë për hajdutin e “ kafshatës “. Shkresat tregojne se hajduti i një cope djath e së bashku me të dhe të  një cope  sallami u kap në flagrancë. “ Është e vërtetë, unë i vodha një pako djath dhe një shufër sallami. Por unë vodha sepse isha i uritur. Madje e kam bërë këtë gjë dhe dy herë të tjera. Dhe sërisht e kam bërë i shtyrë nga uria”- thotë i dyshuari.

Ajo që ndodh më pas , edhe pse vlera e produkteve u llogarit as 1 mijë lekë të reja , ishte kërkesa e prokurorisë për ta shpallur fajtor . Gjykata e Tiranës tha “jo “duke refuzuar  provat e prokurorisë dhe  policisë gjithsej 10 veprime të tilla të përpikta hetimore që nga kallzimi, dhe një seri procesverbalësh të kapjes në flagrancë, kqyrje kamerash sigurie kur burri fut ushqimet në xhep dhe kështu me radhë. Ai u shpall i pafajshëm nga gjykata dhe në castin që doli drejtoi pëllëmbët nga qielli.

Rasti i dytë i ndjekur nga Qendra “FOL”, në të njëjtën gjykatë  është sërisht një vendim pafajësie, që lidhet me kushtet ekstreme të varfërisë që shtyu për të vjedhur ciftin  Shaqir dhe Nexhmie Hasa. Janë prindër të katër fëmijëve te mitur. Të papunë.  Vendimi numër 2335 e thotë këtë gjë

Cfarë grabitën ata? Dy prindërit hynë njëri pas tjetrit  në dyqan dhe marrin prej andej duke vendosur në xhepa “një top gjalp që kushtonte 335 lekë, një fileto pule 239 lekë, një gotë kos 380 gramë 320 lekë, një djath kackavall 435 lekë dhe një majonezë 205 lekë”. I futën nëpër rroba dhe krejt hapur , pa u fshehur kërkuan të largohen. Vlera e mallrave ushqimore të mësipërm sipas akt ekspertizës u llogarit 1345 lekë të reja.

Kemi të ardhura vetëm një pension invaliditeti . Kemi katër fëmijë të vegjël  dhe duhet ti ushqenim, nuk dinim cfarë tu jepnim për të ngrënë”, pohuan në komisariat,  secili nga të dyshuarit e kapur në flagrancë. Ata u dorëzuan nga prokuroria si të pandehur dhe gjykata edhe në këtë rast kujton kushtet e mbijetesës.

“Në rastin konkret , gjykata konstaton se nga të pandehurit janë marrë një sasi e papërfillshme artikujsh ushqimore, nga njerëz ekstremisht të varfër . Ata kanë vjedhur për fëmijët e tyre të mitur në kushtet e nevojës ekstreme, pasi nga pamundësia për të blerë ushqime të domosdoshme për të vegjlit e tyre , rrezikohej seriozisht jeta dhe shëndeti i tyre. Dëm i cili është shumë herë më i madh se sa vlera e dëmit të shkaktuar pronarëve të marketit , prej 1345 lekë”deklaron gjyqtari në vendim.

Cifti i shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Tiranës jeton në rrugën “3 Dëshmorët”, Tiranë dhe sic bëhet me dije prokuroria e kryeqytetit e ka apeluar vendimin.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?