Aksident në Lezhë, dyshohet për të shtëna me armë para përplasjes

Pamje nga vendngjarja
Një aksident ka ndodhur në Lezhë mbrëmjen e kësaj të Premteje, ndërsa dyshohet se ka pasur dhe të shtëna me armë zjarri.
Burime policore bëjnë me dije se dy automjete janë përfshirë në një aksident rrugor, në superstradën Lezhë-Milot, pranë Ishull Lezhës. Nga aksidenti nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale.
Sipas të njëjtave burime, në të dyja automjetet udhëtonin disa të rinj, ndërsa ka pasur dëshmi që para përplasjes ata janë konfliktuar si dhe është qëlluar me armë zjarri.
Megjithatë, deri më tani, nuk rezulton të jenë gjetur gëzhoja në vendngjarje nga policia, ndërsa dëshmitë po verifikohen. Personat në bord të dy automjeteve po ashtu mësohet të kenë mohuar përplasjen mes tyre.
Një grup hetimor ka shkuar në vendngjarje, për të zbardhur dinamikën e ngjarjes.