Kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka mbajtur fjalën në mbledhjen me temë “Mbrojtja e integritetit zgjedhor në Shqipëri”.
Ai ka folur për disa probleme që shoqërojnë edhe procesin zgjedhor. Sa i përket zgjedhjeve që priten të zhvillohen më 14 amj, ai tha se është e rëndësishme që kandidatët të jenë me integritet.
“Thelbësore është që kandidatët që do t’u paraqiten qytetarëve të jenë individë të përshtatshëm e me integritet që t’u shërbejnë interesave të zgjedhësve. Një kandidat i përshtatshëm zotëron kualifikime zotësitë dhe atributet e nevojshme për të mbajtur poste publike, janë individë që kanë një histori të dëshmuar të sjelljes së tyre etike, integritetit dhe respektit për shtetin e së drejtës. Dikush që është i aftë të marrë vendime që të ndihmojë e bashkëpunojë me zgjedhësit.
Zgjedhja e kandidatëve të pastër ligjërisht është thelbësore për funksionimin e duhur të një shoqërie demokratike. Këta individë kanë më shumë gjasa të mbështesin parimet e demokracisë dhe të veprojnë në interesin më të mirë të zgjedhësve të tyre e të punojnë me zyrtarë të tjerë në interes të qytetarëve. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm me rekorde të shkeljes së ligjit, veçanërisht në atë penal mund të ketë pasoja të rënda për procesin demokratik. Zgjedhja e kandidatëve të papërshtatshëm mund të çojë në një sërë pasojash të rënda përfshirë korrupsionin dhe nepotizmin”, u shpreh Celibashi.