Gjatë nje interviste per Gazetaren Elona Meço në “Pa çensurë”, Gazmend Bardhi ka dhene pergjigje per shume pyetje qe kane te bejne me situaten ne te cilen ndodhet PD dhe gjithashtu edhe ne lidhje me procesin zgjedhor te 14 majit.
Intervista e plotë:
“Asnjë kusht për vulën”, Gazment Bardhi: PD të dalë me kandidatë të unifikuar, përndryshe fuqizohet Edi Rama
Partia Demokratike zyrtare nuk ka asnjë kusht për pjesën tjetër të drejtuar nga Sali Berisha që të dalin me kandidatë të unifikuar në zgjedhje. Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi tha në një intervistë për emisionin “Pa Censurë” në RTSH se janë të gatshëm që kandidatët e primareve të rregjistrohen me logon dhe vulën e PD zyrtare. Që kjo të ndodhë, palët duhet të ulen, por nga grupimi i zotit Berisha nuk ka përgjigje pozitive.
Nuk kemi asnjë kusht. Nëse gjykohet se kandidati është fitues, ecim përpara, por nëse ka një mendim se kandidati nuk është fitues, duhet t’i shkëmbejmë këto mendime. Ky nuk është as kusht dhe as përbën problematikë për ta çuar PD të unifikuar në zgjedhje. Për fat të keq nuk ka bisedime, se, nëse ne ulemi me një objektiv të qartë sesi t’i fitojmë zgjedhjet lokale, çdo pengesë apo çdo shqetësim kapërcehet.”- tha zoti Bardhi. Ai nuk pranoi si serioz qendrimin e grupimit të zotit Berisha se Basha dhe Alibeaj janë pengesë për një marrëveshje, duke qenë se konsiderohen si pengje të kryeministrit. “Historia e pengut të Ramës është kthyer në gallatë mes nesh. Janë akuza krejtësisht të pabaza dhe një retorikë e dëmshme për periudhën ku jemi. Na duhet të krijojmë një tjetër frymë për të fituar zgjedhjet lokale. As Basha, as Alibeaj nuk janë fare pengesë për të arritur këtë unifikim të opozitës në zgjedhje”- u shpreh Gazment Bardhi. Zgjidhja që çon drejt unifikimit të kandidatëve, në gjykimin e tij, është ndërpreja e konfliktit të brendshëm, që përballë kandidatit të Edi Ramës të dilet me një kandidat të unifikuar fitues të opozitës. “Nëse kolegët kanë një tjetër objektiv për 14 majin, me shumë përgjegjëshmëri po them se po tentojnë të bëjnë mish për top kandidatët e tyre, po i fusin në një garë që, ku me një opozitë te copëzuar, është e qartë që do të jenë humbës. Po bëjnë mish për top edhe demokratët, edhe qytetarët që presin ndryshimin në 14 maj. Ndryshimi nuk mund të vijë, nëse ne përfaqësohemi me 2, 3 apo 4 kandidatë të opozitës përballë 1 kandidati të kundërshtarit tonë politik. Nuk ka rëndësi e kujt është përgjegjësia, nëse Edi Rama del shumë herë më i fuqizuar nga zgjedhjet lokale”- tha Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi.
Gazment Bardhi për opozitën e përçarë në zgjedhje: Kush nuk do bashkimin, i shërben kokë e këmbë Edi Ramës
Gazment Bardhi është i qartë se çfarë rezultati do të ketë opozita në zgjedhje, nëse nuk del e bashkuar me 1 kandidat me logon e PD. “Personalisht do ta quaja një shans të humbur të opozitës zgjedhjet 2023, nëse nuk shkohet me kandidatë të unifikuar. Për fat të keq është e qartë se çfarë do të ndodhë në zgjedhje. Do të jenë zgjedhje ku betejën demokratët do ta kenë mes vetes dhe fituesi i madh do të jetë Edi Rama.“- i tha zoti Bardhi gazetares Elona Meço gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”. Ai nuk heq dorë nga misioni gati i pamundur për kandidatët e unifikuar, por paralajmëron se një rezultat i ndryshëm i shërben vetëm Edi Ramës. “Personalisht dhe bashkë me kolegët do të bëj gjithçka që të shkojmë të unifikuar në zgjedhje. Nuk dua kurrë të mendoj që niveli i papërgjegjshmërisë në raport me PD dhe demokratët ka arritur deri në atë fazë sa të kërkosh votën e një socialisti dhe të mos arrish të bashkosh demokratët. Nëse betejat me kundërshtarin i kthen në beteja të brendshme në PD je thjesht i papërgjegjshëm, je duke i shërbyer kokë e këmbë Edi Ramës”- tha Gazment Bardhi. Për Sekretarin e Përgjithshëm të PD zyrtare nuk ka rëndësi nëse dalin të dytët apo të tretët në zgjedhje me një opozitë të përçarë. “Humbës është si i dyti, si i treti. Nëse qëllimi është të tregojmë se kush është i dyti dhe i treti, vazhdojmë kështu, por fitues do të jenë kandidatët e Edi Ramës. Nëse sillemi kështu, lëmë Edi Ramën në pushtet në mënyrë të përjetshme”- u shpreh zoti Bardhi, sipas të cilit shumica dhe pakica në PD përcaktohet në procese të brendshme brenda PD, pra në procese zgjedhore me votë brenda institucioneve të PD.
PD zyrtare me seli të re. Gazment Bardhi: Pas 14 Majit nis ristrukturimi i PD. “Të bëhemi bashkë”
Demokratët kanë shumë gjëra që i ndajnë, por selia nuk do të bëhet më një mollë sherri mes tyre, siç ndodhi në 8 janarin e vitit të kaluar. PD zyrtare e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj nuk do të kthehet në selinë e njohur prej të gjithëve, përsa kohë grupimi i zotit Berisha do të jetë atje. “Në kushtet kur njëra palë nuk ka ndërmend të zbatojë vendimin e Gjykatës së Apelit, ne nuk mund të përsërisim atë që bëri zoti Berisha në 8 Janar, të nxisim një luftë mes demokratëve.”- tha Gazment Bardhi gjatë intervistës në emisionin “Pa Censurë”. Ai i pohoi gazetares Elona Meço se PD zyrtare është vendosur në një godinë private, pranë kryesisë së Kuvendit.
“Kemi marrë masat për të marrë një godinë të re ku do të ushtrojë funksionet Partia Demokratike deri në momentin që zoti Berisha të vlerësojë se në një shtet ligjor vendimet e gjykatave duhet të respektohen, siç zbatuam ne një vendim gjykate, edhe pse nuk ishte i formës së prerë dhe i ekzekutueshëm.” – u shpreh zoti Bardhi. Ai konfirmoi se pas zgjedhjeve të 14 Majit, PD do të hyjë në një proces të thellë të ristrukturimit dhe riorganizimit, gjë që ai preferon ta shohë si proces të të gjithë demokratëve, të pandarë në grupime. “Gjykoj që PD nuk duhet të jetë e ndarë në pjesë, por të gjithë bashkë duhet të bëjmë të mundur për të patur një Parti Demokratike jo vetëm me të gjithë anëtarët e saj,siç ka qenë në këto 32 vite, por edhe një parti që i hapet shoqërisë dhe thith sa më shumë individë për ta forcuar dhe për ta bërë alternativë qeverisëse në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshëm.”.- u shpreh Gazment Bardhi për emisionin “Pa Censurë”.