Mbikëqyrja kibernetike çeke ka lëshuar një paralajmërim kundër përdorimit të aplikacionit të popullarizuar kinez për shpërndarjen e videove TikTok duke përmendur kërcënime sigurie.
TikTok, një aplikacion kinez për shpërndarjen e videove, është vënë nën kontroll të shtuar kohët e fundit në shumë vende mbi procedurat e trajtimit të të dhënave.
Mbikëqyrësi çek paralajmëroi më tej se TikTok mund të përbëjë një kërcënim sigurie nëse instalohet në “pajisjet që aksesojnë informacionin kritik dhe infrastrukturën e komunikimit”.
Pse ka shqetësime në rritje?
Vendet perëndimore janë të shqetësuara, se aplikacioni mund t’u japë autoriteteve kineze akses në të dhënat e ndjeshme të përdoruesve.
Shqetësime të mëtejshme burojnë nga fakti se kompania amë e TikTok, ByteDance “është nën juridiksionin ligjor të Republikës Popullore të Kinës.”
Autoriteti kibernetik çek shtoi më tej se “mbledhja e tillë e të dhënave në shkallë të gjerë është shqetësuese për shkak të mjedisit ligjor dhe politik të Republikës Popullore të Kinës duke pasur parasysh se ByteDance, zhvilluesi dhe administratori i TikTok, bie nën juridiksionin e Republikës Popullore të Kinës.”

Politikanët dhe zyrtarët u këshilluan kundër përdorimit të aplikacionit dhe publikut të gjerë iu kërkua të shqyrtonte nëse do ta përdorte gjithashtu aplikacionin.
ByteDance, kompania amë e TikTok, ka thënë më parë se shqetësimet rreth aplikacionit janë nxitur nga disinformatat dhe ka mohuar përdorimin e aplikacionit për spiunimin e perëndimorëve.
Pekini nga ana tjetër ka mohuar të ketë synime për të përdorur aplikacionin për qëllime spiunazhi.
Republika Çeke i bashkohet listës së disa vendeve që kanë ndërmarrë hapa për të kufizuar përdorimin e TikTok.
Shtetet e Bashkuara dhanë një kufi 30-ditor muajin e kaluar për të hequr aplikacionin nga të gjitha pajisjet dhe sistemet federale.
Parlamenti Evropian, Komisioni Evropian dhe Këshilli i BE-së e kanë ndaluar TikTok nga të gjithë telefonat e stafit.
Kanadaja dhe Danimarka gjithashtu e kanë ndaluar stafin e tyre që të ketë TikTok në telefonat e tyre.
Në një raport të mëparshëm të lëshuar në vitin 2022, agjencia e inteligjencës kombëtare çeke me seli në Pragë e quajti Kinën si një kërcënim të madh që synon hapësirën kibernetike çeke. /DW/