Futbollist i njohur i Partizanit, Ko mbëtares, ishte jo vetëm një sportist i zoti, por edhe një nga djemtë e pashëm të asaj kohe, që përpiqej të ndiqte modën, edhe pse nuk ishte e lehtë. “Ka qenë një periudhë tejet e ashpër ajo që kemi përjetuar në vitet ‘80-‘90, kur lufta ndaj shfaqjeve të huaja ishte intensive kudo, deri edhe në klub, ndeshje, madje edhe arbitrat nuk të lejonin të luaje”, rrëfehet ai ekskluzivisht për “Panorama Sport”.
Genci, ju keni një histori të rrallë që ka pasqyruar në njëfarë mënyre edhe një anë tjetër të karrierës suaj apo jo?
Jo vetëm timen, por të disa brezave sportistësh dhe të një rinie pasionante në këtë drejtim. Ishte ndërtuar një mekanizëm frenues dhe kërcënues, që na ka ndjekur nga pas në fushë e jashtë saj. Çdo gjë e kufizuar, e ndaluar, si kur dilnim jashtë vendit edhe këtu. Për ne futbollistët ishte më evidente se ishim njerëz publikë, stadiumet ishin plot dhe për çdo detaj binim në sy. Aq më shumë nëse do të ishe një admirues i modës. “Lojtar i mirë është, – shpreheshin ata të tribunës qendrore apo drejtues klubesh, – por ka tendenca për shfaqje të huaja”. Një situatë e tillë na ndiqte edhe në stërvitje. Jo nga trajnerët, por drejtuesit. Ata ishin më agresivë. Aq më shumë një klub ushtarak si Partizani.
Vitet ‘80 janë ato të rikthimit të futbollit shqiptar në Europë. Çfarë mbani mend?
Kontaktet me botën ishin shumë ngacmuese si në aspektin sportiv edhe më gjerë. Ishin raporte të humbura, të harruara nga ai vetëpezullim pas 1973-shit. Rikthehemi në Europë dhe në atë periudhë janë disa ndeshje me disa klube të shteteve perëndimore duke filluar që nga Ajaksi, Austria, Malmo, por edhe me kombëtaren, ndër to Austria e Prohaskës dhe Gjermania e Rumeniges. Kundërshtarë të fortë në fushë, por edhe në paraqitje me flokë të gjata, baseta, mustaqe, që në korridorin ku rreshtoheshim para takimit ndihej diferenca edhe në paraqitje, uniforma, estetikë. Ata duke përtypur çamçakëzë i shihnim nga afër, me aroma, parfume, gjithçka e kuruar mirë. Sigurisht që çdo detaj kishte ndikim, ngacmim, edhe te ne.
Më thatë që as arbitrat nuk lejonin të luaje pa u qethur. E vërtetë është?
Po, është shumë e vërtetë. Arbitrat ishin orientuar për të mos lejuar asnjë futbollist me flokë të gjata apo tendenca për shfaqje të huaja, siç konsideroheshin. Jo vetëm për modën, flokët kryesisht, por kjo situatë bëhej më agresive, intensive, sidomos në raste festash, ndeshjesh të rëndësishme, ditë votimesh dhe në tribunë vinin qeveritarët. Në të tilla raste, edhe arbitrat të udhëzuar, të këshillonin me shprehjet “është ditë votimesh, ditë feste, duhet të jeni shembull”.