Në KQZ janë paraqitur dy grupimet që pretendojnë se përfaqësojnë Partinë Demokratike, konkretisht ai i Sali Berishës dhe i Lulzim Bashës.
Të dyja grupimet kanë kërkuar regjistrimin për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023.
Komisioneri Celibashi, duke i’u referuar regjistrit të partive politike, ka sqaruar se ligjërisht, Lulzim Basha figuron kryetar i Partisë Demokratike dhe i vetmi që mund ta regjistrojë këtë parti në zgjedhje.
Celibashi shtoi se edhe ai vetë mund të mendojë se kryetar është Sali Berisha, por ligji dikton regjistrimin sipas dokumentit që vjen nga gjykata, ku Basha figuron kryetar edhe pse është dorëhequr publikisht.
Komisioneri gjithashtu i dha kohë 48 orë, përfaqësuesve të Lulzim Bashës të plotësojnë dokumentacionin, pasi është i paplotë për t’u regjistruar në zgjedhje.
“KQZ nuk vendos se kush është kryetar i një partie politike. Në ligjin për partitë politike, është e qartë se cili është organi që vendos, kjo është gjykata. Kjo do të thotë se është gjykata dhe një dokument që vjen nga gjykata, i cili përcakton drejtuesin e një partie politike.
Anëtarësia e një partie politike dhe të tretë mund të njohin për drejtues të një partie politike këdo që ata çmojnë, por për ligjin dhe institucionet publike përfshire KQZ, ajo çfarë merret në referencë është dokumenti zyrtar.
Do të ishte shumë e dëmshme nëse KQZ do ta merrte vendimin mbi perceptime, apo fakte publike, për sa kohë ekziston një dokument zyrtar që vërteton një fakt të caktuar.
Unë mund ta pranoj se në perceptimin tim zoti Sali Berisha është kryetari i Partisë Demokratike, por kjo nuk ndryshon asgjë në lidhje me ligjin.
Të drejtën për të kërkuar regjistrimin e PD për zgjedhjet e 14 majit, bazuar në dokumentat zyrtare që i janë vënë në dispozicion KQZ, e ka zoti Lulzim Basha. Ai figuron kryetar i Partisë Demokratike, në pikëpamje të ligjit, të interpretimit të dokumentacionit.
Vijmë te legjitimiteti i kësaj kërkese. Nga vlerësimi që i kemi bërë dokumentacionit, do të duhet që kërkesa për regjistrim të paraqitej nga kryetari i Partisë Demokratike, zoti Lulzim Basha. Ligji i njeh të drejtën dhe mundësinë që disa kompetenca të kryetarit të partisë, apo cdo organi drejtues ti delegojë te persona të tretë.
Në vlerësimin që i kemi bërë dokumentit autorizues, të dhënë nga zoti Basha për zotin Sefa dhe për të tjerë, vlerësoj se ky dokumentacion nuk është i plotë dhe në përputhje me parashikimet e Kodit Zgjedhor”, tha ndër të tjera Celibashi.