Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka njoftuar këtë të martë se autoritetet në vend kanë arrestuar një shtetas serb të dyshuar për krime lufte. Sipas tij, drejtësia është e pashmangshme dhe ata as nuk i harrojnë e as nuk i falin krimet e luftës.
“Krimet që janë kryer gjatë luftës në Kosovë as nuk i harrojmë e as nuk i falim. Drejtësia për secilin akt ç’njerëzor ndaj popullatës së pafajshme është e pashmangshme.
Sot jam njoftuar se është arrestuar një qytetar i nacionalitetit serb që akuzohet se gjatë vitit 1999, në cilësi të personit zyrtar, ka ushtruar dhunë, torturë e keqtrajtim ndaj civilëve të pafajshëm shqiptarë. I njejti po ashtu akuzohet se në bashkëpunim me struktura paramilitare serbe ka marrur pjesë edhe në dëbimin dhe shpërnguljen me dhunë të qytetarëve të Kamenicës.
Serbia ka kryer gjenocid në Kosovë dhe ky është një fakt i njohur botërisht. Kryesit e akteve kriminale ndaj popullatës së pafajshme nuk janë dënuar asnjëherë për këto krime ose janë dënuar minimalisht.
Teksa ne e kemi të freskët dhimbjen për secilin qytetar të shtypur, të keqtrajtuar, të dëbuar, të masakruar e të zhdukur, drejtësia është domosdoshmëri. Është e vonuar por është e pashmangshme”, shkruan minisstri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla.