Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi konfirmoi sot negociatat me grupimin e Berishës për të dalë me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit.
Gjatë një interviste në rubrikën “Opinion” në News 24, ai tha se pavarësisht qëndrimeve të ndryshme me një pjesë të deputetëve demokratë, ata kanë biseduar për të gjetur një zgjidhje brenda PD-së.
“Kam kontaktuar disa prej kolegëve. Kam pasur një bisedim me Palokën, që nuk sollën një rezultat dhe dështuan, siç e quani ju. Nuk e kam ndërprerë në asnjë moment përpjekjet e mia për të gjetur një zgjidhje. Me secilin prej kolegëve brenda PD-së, pavarësisht nëse mendojmë ndryshe, ne ulemi për të biseduar. Unë e kam hall jo personal, por politik gjetjen e një zgjidhje.
Në raport me veten kam zero interes, në raport me demokratët po. Duhet të fitojmë ato bashki që janë të fitueshme. Nëse do ketë dy kandidatë, ato e pamundësojnë fitoren. Unë kam biseduar me secilin prej kandidatëve të Primareve dhe me dy kandidatët rrezikohet fitorja e tyre”, u shpreh Bardhi në News 24.
Ai tha se nuk është takuar dhe nuk ka pasur kontakte me ish kryeministri Sali Berisha por konfirmoi vullnetin që 70 ditë para zgjedhjeve demokratët të dalin me një kandidat të vetëm në zgjedhje.