
“Dalja me më shumë se një kandidat e opozitës së bashkuar është në favor të kësaj mazhorance dhe Edi Ramës. Dalja me një kandidat është në favor të opozitës, në favor të demokratëve dhe shqiptarëve. Të gjithë biem dakord se duhet të dalim me një kandidat për të fituar këto zgjedhje vendore, nuk po them për tu bashkuar se duhet kohë”, u shpreh ai.
I ftuar në Ora News, deputeti demokrat i quajti të pavenda dhe të pavlera etiketimet e grupimit tjetër në PD, sikur ata janë “të shitur” apo “të marrë peng”.
“Nuk i quaj aspak normale etiketimet ne grupi i deputetëve të shitur, të marrë peng, peng i pengjeve, nuk shkon. Është e tepërt. Janë etiketime të pavend dhe të pavlerë. Nëse do ishim të shitur dhe të blerë pse po shtrijmë dorën e bashkëpunimit?! Kemi hedhur disa propozime konkrete për bashkëpunim, nga pala tjetër nuk kemi asgjë.
Nuk kemi asnjë kandidat në 61 bashki sot që thotë se ka problem nëse dalin dy kandidatë se e fiton. Duhet të heqim diçka nga vetja.
Nuk jemi ndarë për pazare por parime. Dhe për vulën dhe logon e PD nuk do të doja të zgjidhej me gjykatë. Nëse futemi në zgjedhje me më shumë se një alternativë është peshqesh për Edi Ramën, është dhuratë për Edi Ramën. Ne i bëjmë një dhuratë të dytë Edi Ramës në pushtetin vendor”, u shpreh Lefter Gështenja.