Kryeministri Edi Rama dhe kancelari gjerman Olaf Schozl
Kryeministri Edi Rama do të udhëtojë drejt Berlinit ku pritet të takohet me kancelarin gjerman Olaf Scholz, gjatë ditës së nesërme si dhe me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman.
Kryeministria, në një njoftim zyrtar për vizitën e Ramës, bën me dije se kryeministri do të zhvillojë një takim me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, me fokus koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, ku do të diskutohet ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Njoftimi i plotë:
Berlin, Gjermani, Kryeministri Rama vizitë zyrtare në kuadër të kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria
Kryeministri Edi Rama do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Berlin, Gjermani, në kuadër të rolit pritës të Shqipërisë në Procesin e Berlinit për Ballkanin Perëndimor, rol të cilin Kryeministri Rama e mori në Samitin e Procesit të Berlinit më 3 nëntor 2022.
Ditën e martë, Kryeministri do të zhvillojë një takim me Kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në Kancelarinë Federale, me fokus koordinimin në kuadrin e kryesimit të Procesit të Berlinit nga Shqipëria, i cili do të pasohet nga takimi mes dy delegacioneve, ku do të diskutohet ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e ekonomisë dhe të politikës së jashtme, si dhe procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE.
Pas takimit mes tyre, do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp.
Kryeministri Rama do të takohet ndër të tjera me përfaqësues të lartë të biznesit gjerman, ku do të diskutojë mbi perspektivën e Shqipërisë, në kuadrin e zhvillimit turistik rajonal, si dhe rolin bashkëpunues të Gjermanisë në këtë drejtim, përmes investimeve në këtë sektor, si dhe turistëve të saj.
Kryeministri Edi Rama do të vizitojë gjithashtu Panairin Ndërkombëtar të Turizmit, i cili çdo vit mirëpret rreth 10 000 ekspozues nga më shumë se 180 vende dhe rajone, mes të cilave do të jetë edhe stenda shqiptare.