Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ka shkruar një mesazh ngushëllimi për aksidentin e dy trenave në Greqi, në orët e mesnatës
“I trishtuar dhe i dhimbshëm lajmi për përplasjen e trenave në Greqi, me pasojë humbjen e jetës dhe plagosjen e dhjetra njerëzve.
Në emër të Kuvendit të Shqipërisë dhe në emrin tim, u shpreh ngushëllimet familjeve të viktimave dhe të lënduarve u uroj shërim të shpejtë.
Shpreh gjithashtu solidaritetin me Parlamentin e Greqisë, Kryetarin Tasoulas dhe popullin e Greqisë.
Lutemi dhe u jemi pranë në këto ditë dhimbjeje”, shkruan Nikolla.
Kujtojmë se mbrëmjen e kaluar një tragjedi ka ndodhur në Larisa të Greqisë ku pas përplasjes së dy trenave kanë mbetur të vdekur 36 persona dhe janë plagosur 85 të tjerë.
Mes të plagosurve ka pasur edhe fëmijë si dhe studentë. Ndërkohë, 53 prej tyre po marrin ndihmën mjekësore në spital, ndërsa 32 të tjerë kanë shpëtuar pa dëmtime të shumta.
Sipas të dhënave të publikuara nga mediat greke, aksidenti hekurudhor ka ndodhur në hyrje të luginës së Tempes, ku një tren pasagjerësh që udhëtonte midis Athinës dhe Selanikut me 350 pasagjerë në bord u përplas me një tren mallrash pranë qytetit të Larisës.
Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis shpalli tre ditë zie kombëtare për 36 viktimat e aksidentit hekurudhor në Larisa të Greqisë.