Raportohet se të paktën 40 persona kanë humbur jetën si pasojë e mbytjes së varkës me të cilën udhëtonin pranë brigjeve të Krotones. Mes viktimave ka fëmijë, gra dhe një i porsalindur ndërsa nga raportimet e para bëhet me dije se ishin rreth 180 refugjatë në momentin kur varkën e mbuloi uji.
Disa trupa të pajetë janë gjetur nga autoritetet në plazhin e Steccato, ndërsa të tjerë në det, pas nisjes së operacionit të kërkim-shpëtimit.
50 persona janë shpëtuar, ndërkohë që bilanci i viktimave mund të rritet ndjeshëm pasi dhjetëra emigrantë të tjerë raportohen të humbur në detin e trazuar për shkak të motit të keq.
Dhjetëra motovedeta të policisë kufitare, marinës dhe helikopterë vijojnë kërkimet në det, të cilat janë vështirësuar ndjeshëm dhe për shkak të kushteve atmosferike.