Armando Subashi, kryebashkiaku socialist i Fierit, është një ndër personat që është marrë në pyetje nga SPAK, pasi ka dijeni për impiantin e trajtimit të mbetjeve dhe firma e tij është në pothuajse të gjitha shkresat që ka dhënë pëlqim për ndërtimin, si dhe shpronësimin e tokës private.
Newsbomb.al ka parë dëshminë që Subashi ka dhënë më 18 shkurt 2022, ku kryebashkiaku i Fierit është pyetur dhe ka dëshmuar për të gjithë veprimtarinë e prokurimit, mbledhjet dhe vendimmarrjet në Këshillin Bashkiak, pronaren e tokës, korrespondencën me Ministrinë e Mjedisit dhe Koncesionarin.
Nga dëshmia e kryebashkiakut para hetuesve bie në sy se ai personalisht, institucioni i Bashkisë së Fierit dhe Ministria e Mjedisit kanë qenë në dijeni për pasaktësitë ligjore të gjithë procesit. Në vitin 2016 u vendos që impianti të bëhej në Mbrostar, pasi dy vende të caktuara më herët u rrëzuan.
Pasuria juridike në këtë zonë ishte në pronësi të shtetases Nevin Gogo (Vrioni), sipas dokumentacionit që ZVRPP Fier i dërgoi Bashkisë së drejtuar nga Armando Subashi.
Koncesionari dhe Ministria e Drejtësisë i dërguan shkresat përkatëse Bashkisë së Fierit dhe e vunë në dijeni se prona e përcaktuar për ndërtimin e inceneratorit të Fierit, ishte e përshtatshme dhe duhet të vazhdonin me procedurat.
Mirëpo, këtu del dhe anomalia e parë ligjore me këtë proces. Në dëshminë e tij, Armando Subashi tregon se pasi kishin kryer të gjitha procedurat dhe ndërtimi i inceneratorit të Fierit kishte nisur, në dokumente është vënë re një gabim ligjor në përcaktimin e llojit të tokës dhe çmimit.
“Sqaroj se ne muajin Shkurt te vitit 2017 duke pare Vkm nr.951 date 28.12.2016 ku ishte parashikuar shpronesimi si toke truall por duke bere edhe nje pjesetim te thjeshte matematikor rezultonte qe kishte pasaktesi ne vleresimin financiar.
Per kete arsye me date 23.2.2017 me shkresen nr.46/1 prot., Bashkia Fier i dergon shkrese Ministrise se Mjedisit, si Ministria qe u mor me te gjithe proceduren e shpronesimit duke i kerkuar nje saktesim te vleresimit financiar ose ne rast se kishte ndonje akt tjeter ligjor ose nenligjor per ndonje ndryshim te kesaj toke nga toke are ne toke truall.
Ne daten 3.3.2017 me shkresen me nr.1656/1 prot., Ministria e Mjedisit i ka kthyer pergjigje Bashkise Fier duke e sqaruar se vlera qe do te perdorej ishte ajo e percaktuar ne Vkm.951 date 28.12.2016 pasi deri ne ate moment nuk kishte ndonje njoftim nga Keshilli i Ministrave qe mund te kishte ndryshuar kete akt.
Ne daten 24.3.2017me shkresen me nr. 2596 prot., e Ministrise se Mjedisit ka ardhur nje shkrese tek Bashkia Fier nepermjet te ciles e informonte qe kishte nje gabim te percaktimit te llojit te tokes dhe te çmimit qe duhej te paguhej sipas Vkm m.951 date 28.12.2016 pasi ne kete akt ishte cituar si toke truall por nderkohe sipas Zvrpp Fier ajo kishte qene toke are dhe ku shpreheshin se mendonin qe mund te procedonim me vleresimin financiar si toke are”, thuhet në dëshminë e Armando Subashit.
Më tej, në dëshminë e tij kryebashkiaku i Fierit distancohet nga kjo problematikë që ishte krijuar, duke thënë se shkresat që kishte nisur Ministria e Mjedisit, e drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka, sot i akuzuar zyrtarisht dhe i burgosur në qeli, ishin kontradiktore dhe nuk i jepnin zgjidhje pretendimit të Bashkisë së Fierit.
“Te dyja keto shkresa te ardhura nga Ministria e Mjedisit jane kontradiktore me njera tjetren dhe ne fakt nuk i jepnin zgjidhje pretendimit qe kishim ne si Bashki Fier.
Nese nga ana e Ministrise se Mjedisit ne ate moment u krijua bindja qe Vkm.951 date 28.12.2016 kishte nje pasaktesi rruga ligjore per ndreqjen e saj ishte ndryshimi ose saktesimi i kesaj VKM-je ne raport me vleresimin financiar dhe jo dhenia e mendimeve, sugjerimeve apo opinioneve lidhur me zbatimin e saj pasi çdo zbatim ose jo i kesaj Vkm-je ndryshe nga sa parashikohej ne te nuk ishte as ne kompetencen dhe as ne diskrecionin e Bashkise Fier”, vijon dëshmia e Armando Subashit.