Sot shënohet përvjetori i fillimit të agresionit rus ndaj Ukrainës. Me këtë rast në Tiranë po mbahet një manifestim, pas ftesës që kryetari i Bashkisë së Tiranës iu bëri qytetarëve në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas ndaj makinerisë ruse.
Në marshim ka marrë pjesë dhe ambasadori i Ukrainës në Tiranë, Volodymyr Shukrov, ambasadorja e SHBA-ve, Yuri Kim, kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, deputetja e PS-së Mimi Kodheli etj.
Qytetarët kanë marshuar nga rruga “Ukraina e Lirë” deri te Bashkia e Tiranës me flamuj ukrainas në duar.
“24 shkurti shënon një vit nga nisja e luftës së Rusisë ndaj Ukrainës! Tirana solidarizohet me të drejtën e çdo qytetari ukrainas për të qenë i lirë. Ju ftoj të jemi bashkë gjatë manifestimit, në mbështetje të qëndresës heroike të popullit ukrainas kundër agresionit rus. JEMI ME JU!
Ora 12:00, rruga “Ukraina e Lirë” – Bashkia Tiranë”, – shkruan kryebashkiaku Veliaj në një postim në rrjetet sociale”.