Kjo është arma e modifikuar që po masakron ushtarët rusë në Ukrainë

Bota

Sot bëhet plot një vit nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës, por edhe pse një fuqi botërore, Moska duket se e ka patur të vështirë të avancojë në fushëbetejë.

Shkaqet janë nga më të ndryshmet; strategjitë gabuara kanë çuar herë pas here në shkakrimin dhe zëvendësimin e gjeneralëve rusë, ndërkohë që me dhjetra janë edhe komandantët që kanë rënë në luftë.

Morali i ulët mes forcave ruse është një tjetër faktor i rëndësishëm. Po ashtu edhe pajisja e trupave në fushëbetejë me logjistikë dhe armatime të vjetra, disa madje që prej Luftës së Dytë Botërore.

Ndihma që Ukraina ka marrë nga Perëndimi ka qenë kritike për të mbajtur agresionin rus në kufijtë e katër rajoneve që Rusia ka tashmë nën kontroll.

Mes këtyre ndihmave është edhe një teknologji që shumë njerëzve nuk do t’u kishte shkuar në mendje se mund të pëdorej përveç filmimeve të momenteve të veçanta dhe në kohë paqeje. Bëhet fjalë për dronët e vegjël, që në duart e ushtarëve ukrainas kanë gjetur përdorim të madh si për ofensivë po ashtu edhe për mbledhjen e informacioneve.

Një ushtar ukrainas duke lëshuar dronin për survejim

Vetëm dy javë më parë, ushtarët mercenarë rusë të grupit Wagner, ndërmorën një ofensivë gati kamikaze për të kapur qytetin e Bakhmutit. Qindra ushtarë rusë u nisën me këmbë nga baza e tyre disa kilometra larg qytetit, vetëm më armë në duar, të pashoqëruar nga mjetet e rënda të transportit. Por edhe pse natë, ata s’e kishin menduar se mbrojtësit e qytetit po shikonin gjithçka nga qielli, falë dronëve me kamera me sensorë termikë dhe vizion-nate.

Ofensiva, do të kthehej shumë shpejt në një kasaphanë, teksa fusha mes bazës ruse dhe qytetit të Bakhmutit u mbush me trupat e pajetë të rusëve.

Nëntë vite më parë shumë shqiptarë do të qeshnin me deklaratën e ish-presidentit të UEFA, Michel Platini, kur tha se droni që u lëshua në mes të ndeshjes Serbi-Shqipëri, mund të kishte një bombë. Ndonëse qëllimi ishte vetëm përçimi i një mesazhi, duket se Plantini nuk e kishte dhe aq gabim, të paktën për sa i përket mundësisë për armatosjen e këtyre pajisjeve.

Në këtë rast janë përdorur dy dronë, njëri për identifikimin e trupave ruse gjatë natës

Ukrainasit kanë mundur të përshtasin qindra dronë, duke i armatosur në disa raste me 5 deri në 10 granata, në varësi të peshës. Dronët ngrihen në qiell dhe fluturojnë deri në 10 kilometra larg operuesit, i cili qëndron i sigurtë jashtë fushës së betejës. Për disa minuta droni survejon trashetë deri sa pikas ushtarët rusë. Ndonëse disa dhjetra metra lart kokës së tyre, ushtarët janë krejtësisht të pavetëdijshëm për rrezikun që i kërcënon.

Droni më pas pozicionohet saktësisht mbi ta dhe lëshon granatat të cilat shpërthejnë menjëherë sapo prekin tokën. Dëmet në radhët e ushtrisë ruse shkaktuar nga bombat e hedhura me dron janë tepër të mëdha. Qindra ushtarë vdesin në vend, të tjerë plagosen rëndë dhe shndërrohen jo vetëm në të paaftë për të luftuar, por edhe në barrë për shokët e luftës. Të tjerë largohen të çorroditur dhe të tmerruar, sepse rreziku u vjen andej nga s’e presin, dhe në asnjë vend të fushëbetejës nuk mund të jenë më të sigurtë.

Granata e dronit duke rënë mbi një BTR rus

Këta dronë komercialë, të modifikuar tashmë për luftë, kanë arritur të shkatërrojnë edhe tanke. Në disa raste ushtarët rusë janë pikasur duke mbajtur hapur kapakun e takut në fushën e betejës, qoftë kjo për ajrosje apo edhe për të patur herë pas here një pamje më të qartë sesa nga dritaret e vogla brenda kabinës. Pikërisht, ky ka rezultuar të jetë një gabim fatal për ta. Ukrainasit kanë arritur të pozicionojnë dronin mbi tank, dhe me një saktësi olimpike të hedhin brenda granatën. Tanku menjëherë ka shpërthyer në flakë, duke u kthyer në një kurth vdekjeprurrës për ekuipazhin.

“Ne kemi mësuar tashmë sesi të vendosim granata te këta dronë. Një dron “Mavik 3” i pajisur me 3 granata 30 dollarëshe, dhe nëse arrin t’i lëshosh në mënyrë të përsorur, mund të heqësh qafe një tank T-90 që kushton miliona dollarë”, rrëfen një ushtar ukrainas.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?