7 gola të shënuar, gafa pafund, por shumë spektakël. Liverpool-Real Madrid dhuruan një mbrëmje të çmendur futbolli, atmosfere fantastike, rekorde, ndërsa në fund festojnë gjithnjë ata, “mbretërorët” e Carlo Ancelottit. Kampionët në fuqi dalin nga “Anfield” me një avantazh të rëndësishëm 5-2 duke e bërë kualifikimin më të lehtë.

As tifozi më i “zjarrtë” i të kuqve nuk e kishte imagjinuar që do ta shihnin veten në avantazh që në minutën e 4-ët, për më tepër me një kryevepër nga Nunez, sulmuesi uruguaian me finte mposhti Courtois.

Hakmarrja dukej shumë pranë ku në minutën e 14-të, Salah përfitoi nga një gafë e portierit belg duke dyfishuar shifrat. Ky ishte goli i 44-ët i sulmuesit egjiptian duke barazuar Drogba-n si golashënuesi më i mirë afrikan në Champions.

Dizavantazhi i dyfishtë brenda 14 minutash do kishte “vrarë” çdo skuadër, por jo Real Madrid. Në minutën e 21-të Vinicius me një goditje të fortë ngushtoi shifrat në 2-1 ndërsa në minutën e 36-të ishte Alison që gaboi rëndë, në përpjekje për të larguar topin e përplasi te Vinicius duke bërë që në “Anfield” të barazohej rezultati në 2-2.

Reali zbriti më i karikuar në pjesën e dytë duke gjetur shpejt golin e avantazhit, Militao në zonë, i pa markuar, me kokë dërgoi topin në rrjetë. Stafetën me pas e mori “Topi i Artë” në fuqi, Karim Benzema me një dopietë. Në të 54-tën, goditja e francezit gjeti devijimin me fat duke përfunduar në rrjetë, ndërsa në të 67-tën, Benzema lëvizi bukur në zonë duke kompletuar përmbysjen e madhe dhe fitoren me “manita”.

Liverpool bëhet ekipi i parë në Champions që pëson një humbje me tre gola diferencë pasi ishin në avantazh të dyfishtë. Real Madrid bëhet ekipi i parë në Champions që shënon 5 gola në Anfield.