Zbardhet marrëveshja mes Shoqatave të Autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Transportit Rrugor për rritjen e çmimeve të patentave. Në varësi të kategorive, shtrenjtimi do të jetë me dy deri në tre herë nga muaji prill. Me çmimet e reja, Shqipëria futet te vendet me çmimin më të lartë të marrjes së lejes së drejtimit në raport me pagat.
Nga muaji prill, marrja e patentës, në varësi të kategorisë do të kushtojë nga dy deri në tre herë më shtrenjtë. Nëse sot për të marr lejen më të zakonshme të drejtimit, atë të klasit “B” një kursant duhet të paguajë rreth 45.000 lekë pa përfshirë kartonin apo dokumentet e tjera shëndetësore, kostoja do të rritet në 85.000 lekë.
Sipas marrëveshjes mes Shoqatave të Autoshkollave, Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe asaj të Transportit Rrugor, çmimet e reja do të justifikohen me mirë-përgatitjen e drejtuesve të rinj duke rritur orët e teorisë dhe praktikës në autoshkolla.
“Do ndodhë që do zhvillohet përgatitja teorike dhe praktike në bazë të nenit 121 të Kodit Rrugor në Republikën e Shqipërisë i cili konsiston në 36 orë teori dhe 34 seanca praktikë për klasin B”, u shpreh Tonin Gjinaj nga Shoqata e Autoshkollave.