Shtëpia Botuese Jalifat Publishing: “Kosova,” Buxhovi dhe Diplomacia Publike për Interes Kombëtar

Aktualitet Shkrime

Së pari, do të doja të theksoja se kur ne kemi themeluar shtëpinë botuese Jalifat Publishing në Houston e kemi bërë vetëm me një mision të pastër kombëtar: t’i ofrojmë publikut amerikan pikë së pari, por edhe atij botëror historinë dhe rrëfimet e së vërtetës për Kosovën në veçanti e shqiptarët në përgjithësi.

 

Në kuadër të këtij misioni, projekti më i madh ka qenë përkthimi në anglisht dhe mandej botimi i librit KOSOVA nga Jusuf Buxhovi. Ky libër voluminoz është përkthyer me shumë profesionalizëm e kujdes nga z. Avni Spahiu, Faton Bislimi e Getoar Mjeku. Pas botimit, ne jemi angazhuar në shpërndarjen e tij nëpër qarqe kryesore akademike në SHBA dhe në promovime kudo në trojet shqiptare.

 

Ky botim i ka shkaktuar kokëçarje të madhe Serbisë sepse në librin KOSOVA të Buxhovit dokumentohet falsifikimi i historisë serbe dhe vërtetohet vazhdimësia etnike e kombit tonë nga kohët më të lashta e deri më tani.

Njëri nga kulmet e arritjes do të thoja ka qenë promovimi i librit Kosova në kupolën e vlerës akademike botërore, në Universitetin e Harvardit në shkurt të vitit të kaluar. Ky promovim aty u mundësua nga miku im, ish-studenti i Teksasit, Faton Bislimi, i cili vet ka studiuar dhe ka magjistruar në Harvard. Ky promovim i ka dhënë vulën e madhe të pranimit akademik librit të Buxhovit.

Edhe së fundi, anëtarësimi i Buxhovit si anëtar emeritus në Asociacionin e Historisë së SHBA-ve me seli në Washington, DC është një ngjarje që e nderon veprën e Buxhovit dhe krejt Kosovën. Ka shumë kohë që ne si shtepi botuese jemi angazhuar për të arritur deri te ky anëtarësim. Dhe, më në fund ia dolëm me sukses, falë përsëri, punës dhe angazhimit të Faton Bislimit.

Ai e nisi këtë mision që në rininë e vet si student në Texas kur u angazhua në Kongresin e SHBA-ve përkatësisht në Komitetin për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Kongresit në Washington, DC. Pra, për më shumë se dy dekada ai nuk iu nda këtij angazhimi. Arriti të krijojë lidhje e respekt me zyrtarët më të lartë të Departamentit të Shtetit, e veçanërisht me liderët e politikës së jashtme në Kongresin e Senatin e SHBA-ve, krejt këto në bashkëpunim të ngushtë e angazhim vetmohues me Ligën Qytetare Shqiptaro-Amerikane të udhëhequr nga Joe Dioguardi e Shirley Cloyes.

Unë edhe sot e kësaj dite mbetem i habitur tejmase se si është e mundur që qeveria e këtij vendi, e edhe ato të mëparshme, nuk e afrojnë një njeri si Fatoni. Nuk i ofrojnë përkrahjen e pakursyer për punën që bën në favor të vendit. Jam thellësisht i befasuar edhe me partinë e tij, LDK-në. Si është e mundur që e kanë një aset kombëtar si Fatoni aty dhe e anashkalojnë?! ?Si është e mundur që një njeri që ta njeh e ta vlerëson Departamenti i Shtetit e Kongresi i SHBA-ve, të cilët e ftojnë dhe e konsultojnë Fatonin për thuajse gjithçka që ka të bëjë me Kosovën, të mos kishte qenë pjesë e visitës së LDK-së nën Abdixhikun në SHBA? Kjo besoj s’ka arsye. Mund të ketë inate e mospranim të suksesit të tij, po nuk ka forcë që e ndal angazhimin e Fatonit për vendin e kombin dhe unë e shoh të ndritur të ardhmen e këtij vendi sa të kemi djem si Fatoni koha e të cilit po vjen më shpejt sesa e mendojnë disa e disa s’duan hiç, por do të jenë të parët që ta përqafojnë!

Si shqiptaro-amerikan e aktivist i kauzës sonë kombëtare që bart nderin më të madh civil, dekoratën e Arritjes Jetësore, të ndarë nga Presidenti i SHBA-ve, unë flas nga zemra e përvoja ime direkte me punët tona në SHBA dhe nga njohja e drejtpërdrejtë e kontributit të Fatonit. Dhe, uroj që koha e tij të vijë sa më shpejt këtu në Kosovë e atëherë do të shihni ndryshimin përnjëmend që i duhet këtij vendi e jo atë që veç përflitet.

Ramiz Tafilaj- Prishtinë, 24 Janar 2023

Autori është themelues dhe drejtor i shtëpisë botuese  Jalifat Publishing në Houston, Texas, si dhe aktivist i kauzës kombëtare në SHBA për gati pesë dekada, i nderuar me çmimin për Arritje Jetësore nga Presidenti i SHBA-ve.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?