Këshilli i Ministrave ka marrë sot vendimin për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev të Ukrainës.
Lajmi për hapjen e ambasadës shqiptare në Kiev u njoftua pak ditë më parë, kur Shqipëria dhe Ukraina festuan 30-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike.
Më herët, Shqipëria ka pasur konsullatë në qytetin e Kharkivit, godina e së cilës ishte ndër të parat që u bombardua nga sulmet e ushtrisë ruse.
VENDIMI:
VENDIM PËR HAPJEN E MISIONIT DIPLOMATIK TË REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË NË KRYEQYTETIN E UKRAINËS, KIEV
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 1, të nenit 21, të ligjit nr.23/2015, “Për shërbimin e jashtëm të Republikës së Shqipërisë”, me propozimin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
- Hapjen e Misionit Diplomatik “Ambasadë” të Republikës së Shqipërisë në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev.
- Për hapjen e këtij misioni diplomatik, shpenzimet do të përballohen nga buxheti i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme për vitin 2023.
- Ngarkohet Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.