Bumçi: Do fitojmë më shumë se 30 bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit

Politike

Aldo Bumçi thotë se PD-ja do të fitojë më shumë se 30 bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit që do të mbahen në Shqipëri. Kjo deklaratë vjen si reagim ndaj asaj të bërë ditë më parë nga Sekretari i PS, Damian Gjiknuri, i cili tha se socialistët marrin mbi 40 bashki.

Në një intervistë për Ora News, Aldo Bumçi tha se Partia Demokratike e drejtuar nga Sali Berisha dhe aleatët e saj, kanë të sigurta mbi 30 bashki.

“Do jemi mbi 30 bashki. Në 2015 fituam 16 bashki të vetëm. Partia e Lirisë nuk ishte në aleancë me ne dhe fitoi 9 bashki, PDIU fitoi 3 bashki. Rreth 10 bashki të tjera janë lënë për dhjetëra dhe qindra vota”, u shpreh ish-ministri në kohën e qeverisë Berisha.

Ndërkohë, i pyetur për çështjen e vulës në PD, Bumçi e konsideroi të tejkaluar dhe për këtë kërkoi zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, që ka legjitimuar Sali Berishën si kryetar.

“Një opozitë nuk krijohet në gjykatë, krijohet nga njerëzit e lirë që mbushën bulevardin. Gjykata e Shkallës së Parë ka vendosur në favorin tonë, njeh vendimin e 11 dhjetorit”, u shpreh politikani demokrat Aldo Bumçi.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?