“Ky parlament ka vdekur!” Boçi nis me tone të forta sesionin

Politike

Deputeti i PD, Luçiano Boci deklaroi ditën e sotme gjatë fjalës së tij në nisjen e sesionit të ri parlamentar se në fjalën hapëse nuk u dëgjuan “rekordet e zeza” të Kuvendit, por vetëm arritje dhe suksese.

Boçi shtoi më tej se parlamenti ka dështuar të miratojë projekt-rezolutën për genocidin serb, gjë që e cilësoi si një qëndrim shumë të rëndësishëm për gjithë kombin.

Deputeti demokrat vijoi më tej me tone të ashpra duke deklaruar se “ky parlament ka vdekur” dhe se ka bllokuar komisionin hetimor në lidhje me udhëtimet luksoze të kryeministrit Rama me avionë privatë.

“E dëgjova me vëmendje fjalën tuaj, këtu do dëgjonim arritjet e sukseset normale, jo rekordet e zeza të këtij parlamenti, që kanë vijuar me kufizimin e fjalës së opozitës me mënyrat që ju i dini, shndërrimin e këtij parlamenti në një noter të ekzekutivit. Kujtojmë projekt rezolutën për gjenocidin serb, dje ishte 24-vjetori i masakrës së Reçakut dhe për shkakun tuaj nuk e kemi miratuar rezolutën. Qytetarët dëgjojnë vetëm lavdërimet tuaja, për një qëndrim të tillë ju keni bllokuar një rezolutë shumë të rëndësishme për kombin.

Po të vijojmë me ligjet që kanë shkuar në dëm të interesit të qytetarit, dhe kanë favorizuar klientelën. Pengesa e fundit që duhet të përmendej ishte kërkesa që ne drejtuam për ngritjen e komisionit hetimor për udhëtimet luksoze të kryeministrit. E thotë qartazi neni. Meqenëse kërkesa është firmosur nga 35 deputetë komisioni hetimor ngrihet menjëherë, por ju e keni bllokuar, Kuvendi është i detyruar të caktojë një komisioni hetimor, çfarë ka këtu për tu penguar. Argumenti dhënë nga ju është absurd, këtu keni intimiduar votën e shqiptarëve Është firma e 620 mijë votuesve dhe duhet respektuar, bëni sikur nuk e dini, keni vënë në dyshim demokracinë e këtij parlamenti. Ky parlament ka vdekur, këtu vazhdojmë kot!” u shpreh ai.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?