Përjashtimi i katër deputetëve, Sula: Vendimi i Alibeajt i nxituar

Intervista

Deputeti i Partisë Demokratike, Dashnor Sula shprehet se vendimi i kryetarit të grupit parlamentar Enkelejd Alibeaj për përjashtimin e katër deputetëve ishte i nxituar.

Në një intervistë në News 24, ai thotë se vendimi i tij, erdhi për shkak se po mblidheshin firmat për një kandidat tjetër në krye të grupit.

Cfarë po ndodh në grupin parlamentar të PD?

PD po lundron në ujëra të turbullta. Jam munduar që të luaj rol ekuilibruesi në terren dhe kam qenë ndër deputetët e parë që kam thënë që duhet të dalim me kandidatë të përbashkët në 14 maj. Me të gjitha strukturat në qarkun e Elbasanit kemi konsensus të gjerë. Por fatkeqësisht lart nuk jemi aty ku duhet dhe kjo ndodh për shkak të kalkulimeve individuale të secilit, që nga Berisha, Basha dhe aktorë të tjerë. E kam thënë që nëse duhet mandati im për tu dhënë në shërbim të zgjidhjes për PD-në, jam gati ta vë mandatin tim në dispozicion. Persona të caktuar në PD ndihen mirë dhe eksitohen duke u zënë me njeri-tjetrin.

 

 

Pse u përjashtuan 4 deputetët, juve u pyetët?

Grupi i PD nuk është mbledhur. Vendimi për përjashtim u mor para një viti. Vendimi është i nxituar. Unë nuk jam dakord me mënyrën si procedohet për të zgjedhur kryetarin e grupit parlamentar të PD. Nuk mund të mblidhen firmat rrugëve apo kafeve. Duhet të ishte një proces që vinte normal.

Vendimi i Alibeajt u mor për shkak të firmave të Salianjit?

Nuk është mbledhur grupi parlamentar. Të dyja palët nuk janë të kthjelluara. Njëra pas e nis me një vendim të gabuar, pala tjetër e çon aty ku nuk duhet. Duhet të ketë një mbledhje urgjente të grupit parlamentar dhe të dalin kandidaturat. Nuk mund të mblidhen nëpër tavolina dhe telefona.

Nëse do të pyesnit, do të votonit për shkarkimin?

Unë edhe në rastin e parë kam abstenuar, nuk kam për ta bërë kurrë. Në momentin që nuk janë ndarë gjërat, nuk përbën sens që të kemi këtë konflikt.

Çfarë përfaqëson për ju Alibeaj?

Unë kam marrëdhënie në grupin parlamentar që nga 2009. Është jurist shumë i përgatitur. Nuk dua ta besoj që është person i shitur apo i blerë. Ka edhe të metat dhe gabimet e tij në mënyrën e komunikimit. Sjellja e tij tani nuk duhet anatemuar plotësisht, por për shkak të peshës që mori pas 6 marsit, nuk ka bërë atë që duhet të bënte për të mos ardhur në situatën e sotme. Sot më e rëndësishme për demokratët është që të dyja palët duhet të kthjellohen shumë shpejt. Nuk ka më kohë. Të gjithë duhet të kuptojmë si do shkojë puna në 14 maj.

Ju e kritikoni vendimin e Alibeajt, por edhe e mbroni? Ju me kë jeni me partinë e Alibeajt apo të Berishës?

Çfarëdo vendimi që do japin gjykatat, unë do ta respektoj. Unë nuk them që të gjithë problemin e PD e zgjidh gjykata, por kjo është një pikënisje. Nëse Gjykata do ti japë të drejtë Berishës do të ishte budallallëk që grupi tjetër të mos i bashkohej. Unë nuk e pranoj dot se Berisha dhe Basha janë të pafajshëm për situatën ku është PD sot.

A bashkohet PD me përjashtime?

Jo. Por analizën nuk mund ta nisim para dy ditësh, por që pas 25 prillit. Janë shumë gjëra që kanë ndodhur nga ajo kohë dhe kanë sjellë pasoja. Palët lart eksitohen duke sharë njeri- tjetrin, ndërkohë që këtë energji duhet ta përdorin kundër kundërshtarit politik.

Përjashtimet po i bën Alibeaj…

Këto janë të korrigjueshme. Edhe nëse kthehen katër deputetët, a zgjidhet problemi? Jo, nuk zgjidhet. Problemi duhet të zgjidhet në mënyrë racionale. Siç ishte dreka që u bë në fundviti.

Bashkimin e PD e ka në dorë Berisha?

Pa diskutim që ai e ka. Berisha ka bërë pakte të mëdha me Nanon e Ramën dhe nuk bën dot pakt me “fëmijët e tij” politikë? Nëse shkojmë në 14 maj të ndarë, fiton Rama dhe PS. Unë nuk jam dakord me këtë qasje dhe kam bërë zgjedhjen time: në zonën time elektorale do të mbështes kandidatët që kanë dalë nga Primaret. Unë e kam bërë zgjedhjen, por prapë kam mendimet e mia për mënyrën se si duhet të bëhen punët në PD.

E mbështes Salianjin?

Në shenjë respekti të kryetarit të grupit të PD, nëse do kemi një debat dhe diskutojmë do ta jap votën atje ku e ndjej. Por nuk jam për të votuar sipas kulisave.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?