Reagon Alda Klosi: Paratë të deklaruara, janë mbledhur për kurimin e xhaxhait me kancer

Aktualitet

Në një prononcim për “5pyetje.al”, ish-zyrtarja Alda Klosi është shprehur se paratë i ka të deklaruara dhe se i kishte mbledhur për kurimin e xhaxhait.

Klosi tha se Rozeta prej 5 vitesh punonte te ajo si pastruese dhe se vjedhjen e kishte inskenuar më së miri.

Ajo tregoi se dera ishte hapur me çelës dhe për t’u dukur si grabitje Rozeta kishte hedhur dollapet në shtëpi, rrobat.

“Paratë janë të deklaruara. Ato janë për një rast fatkeqësie të xhaxhait tim se është me kancer. Dhe unë kam qenë në Amerikë. Po e kam bërë vetë denoncimin. Rozetën e kisha të punësuar prej 5 vitesh. Ajo ka bërë masakër për hapjen e derës, nuk e ka bërë vetëm te mua. Ajo punonte edhe në shumë vende të tjera. Nga kamerat e kapëm. Ka inskenuar veprën, sepse banesa është hapur me çelës. E kishte inskenuar, kishte hedhur rrobat, dollapin. Nuk më shkoi mendja fare te ajo”, tha Klosi.

Rozeta Dobi dhe Havier, nënë e bir, kishin ndërtuar një skenë të mirëfilltë dhe grabisnin vilat, ku 49-vjeçarja punonte si sanitare.

Personat në fjalë shfrytëzonin rastin kur pronarit ishin jashtë vendit për të vjedhur banesa dhe ato i bënin të dukej si grabitje, ndërsa në banesa futej përmes çelësit që kishte kopjuar.

Gruaja vidhte para dhe sende me vlerë, ndërsa djali e priste jashtë me makinë për ta larguar sa më parë nga vendi ku kryenin grabitjen.

Ka qenë ish-zyrtarja e Kryeministrisë Alda Klosi që denoncoi se në shtëpi i ishin vjedhur mijëra euro. Sanitarja dhe djali në shtëpinë e saj dyshohet se kanë vjedhur 120 mijë euro, ndërsa në total në banesën e autorëve janë gjetur rreth 530 mijë euro, nga të cilat 120 mijë euro ditën e djeshme, 402 mijë euro, dhe 8000 dollare sot si dhe tre makina që përdoreshin nga djali i saj.

Ndërkohë, hetimet nisën edhe për ish-shefen e kabinetit në Kryeministri Alda Klosi për të zbuluar nëse shumë e parave prej 120 mijë euro të vjedhura nga pastruesja dhe djali i saj, janë të justifikuara apo jo.

Alda Klosi 42 vjeç është nën hetim për pastrim parash nga Prokuroria e Tiranës,çështje e cila po shqyrtohet nga prokurorja Mirela Zavalani.

Total 2 Votes
1

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?