Burri denoncon gruan: Ndihem i kërcënuar, më kafshon dhe më rreh
Dosja iu vendos në dispozicion Gazetasi.al nga burime policore që thanë se si shtetasi M.P ia doli mbanë të marrë urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje nga gruaja e tij që e përshkruan si tepër nevrike dhe tepër xheloze.
“Më dukej normale xhelozia, kontrolli dhe dominimi në marrëdhënie gjatë fillimeve. Por vitin e fundit kur u martuam nuk shtyhej fare. U njoha me V. si çdo i ri që bie në dashuri dhe që do të krijojë familje. Kur mërzitej dhe shpërthente, habitesha në fillim, por kur pyeta vjehrrën më tregoi se vajza e saj ishte nevrike dhe e stresuar si tip. Kur nevrikosej më qëllonte me shpulla dhe grushta por s’ia vija re, derisa u binda se nga dhuna ajo humbiste kontrollin”,-rrëfehet i riu për bashkëmoshataren, dashuria e të cilëve nuk triumfoi. Në një nga rastet e dhunës, i riu u dhunua prej saj duke u qëlluar me sende të forta në kokë dhe në këto kushte, mbasi u konsultua me prindërit ai vendosi se duhej të divorcohej.
“Kisha shenja në qafë, në kokë dhe në bark dhe pasi u mendova gjatë sepse më kërkonte llogari për femra që nuk ekzistonin, vendosa të mos kthehesha më dhe të dorëzoja kërkesën për divorc. Ia kisha bërë të ditur se në rast se nuk ndryshonte, fundi ishte afër. Kur e njoftova për divorcin u përgjigj duke thënë: divorcin nuk ta jap!”,- shprehet 25-vjeçari i cili pavarësisht këtij paralajmërimi, vendosi që derisa gjykata të jepte vendim, të zhvendosej tek prindërit.
“Ndihem tepër i frikësuar prej saj, jam i kërcënuar fizikisht dhe psikologjikisht. Megjithëse po ndodhnin këto gjëra, sërish e dua dhe kur më telefonoi duke më urdhëruar “hajde më merr”, mora makinën dhe e mora. Qëndruam në hotel për tre ditë dhe ishte e qetë. Më pas më kërkoi që ta çoj tek prindërit e saj në Korçë. Rrugës u bë agresive dhe më kafshoi në kokë duke më shkaktuar një plagë të rrezikshme. E qetësova dhe më pas e çova tek terminali, e hipa në furgon dhe u largova tek prindërit e mi”, shprehet i riu në polici./ boldnews/