Apeli i GJKKO le në burg Lefter Kokën

Aktualitet

Gjykata e Apelit të Posaçëm ka rrëzuar kërkesën e avokatëve mbrojtës të ish-ministrit Lefter Kokës, të cilët kërkuan masë më të butë sigurie.

Apeli i GJKKO nuk e ka pranuar zbutjen e masës së sigurisë ndaj Kokës, duke lënë në burg ish-ministrin e Mjedisit. Ky i fundit kishte ankimuar masën “arrest me burg” në lidhje me akuzat për inceneratorin e Fierit.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Dhimitër Lara, sot më datë 05.01.2023, zhvilloi seancë gjyqësore për çështjen penale nr. 10/214 akti, datë 28.12.2022 regjistrimi, regjistruar mbi ankimin e personit nën hetim L.K., ndaj vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt “Zëvendësimi i masës së sigurimit personal” dhe vendosi:
– Miratimin e vendimit nr. 297 akti, datë 25.11.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e GJKKO.

Kujtojmë se Lefter Koka u arrestua më 14 dhjetor në shtëpinë e tij, ndërsa arrestimi i tij ka lidhje me kallëzimin penal të bërë në SPAK nga LSI, për dosjen e inceneratorëve. Mbi të rëndojnë akuzat e “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion” nga SPAK.

Gjatë hetimeve paraprake për këtë proçedim penal janë mbledhur dhe janë siguruar provat e nevojshme që krijojnë dyshimin e arsyeshëm se shumat monetare 368.672.760 lekë dhe 91.963.141 lekë, që iu janë faturuar shoqërive “Albtek Energy” sh.p.k. dhe “Integrated Technology Services” sh.p.k. dhe që janë paguar më pas nga këto dy shoqëri tregtare, përbëjnë përfitime materiale të parregullta që i janë dhënë shtetasit Lefter Koka, në cilësinë e ish Ministrit të Mjedisit, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Albtek Energy” sh.p.k. në zhvillimin e proçedurës së dhënies së konçensionit dhe në lidhjen e kontratës së konçensionit me objekt “Ndërtimin dhe administrimin e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Elbasan, për prodhimin e energjisë”.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?