Ulsi Manja: Amnisti penale ka, por jo këtë vit
Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, është shprehur këtë të mërkurë se për vitin 2022 nuk mendohet të ketë amnisti penale për të burgosurit. Drejtoria e Burgjeve dhe Ministria, tha ai, janë në fazë vlerësimi.
“Drejtoria e përgjithshme e Burgjeve dhe Ministria e Drejtësisë sigurisht që janë në fazën e vlerësimit. Do të kemi një amnisti, por për këtë vit parlamenti një ose dy seanca ka”, është shprehur Manja.
I pyetur për zgjedhjen e kreut të ri të Prokurorisë Speciale, SPAK, ministri i Drejtësisë është shprehur se ky proces është kompetencë e KLP-së.
“Drejtësia tashmë ka qeverinë e vet, Prokuroria ka Këshillin e Lartë të Prokurorisë ndërsa sistemi gjyqësor ka Këshillin e Lartë Gjyqësor. Është tërësisht në kompetencat e palëve të KLP-së të vendosi se cili do të jetë drejtuesi i ri i SPAK-ut”, ka përmbyllur Ulsi Manja.