Aktualitet

Porti i ri në Porto Romano, gara hapet në janar

KAON

Projekti i portit të ri në Porto Romano është përfunduar dhe në fillimvitin e ardhshëm do të hapet gara ndërkombëtare për të gjitha kompanitë që duan të marrin pjesë në këtë vepër të rëndësishme.

“Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve dhe aeroporteve, ka përfunduar projektin dhe këtë të hënë, 12 dhjetor, po bëhet prezantimi i tij.

“Projekti do të hidhet në garë ndërkombëtare fillimvitin e ardhshëm dhe do të nisë zbatimin me çeljen e kantierit të Porto Romanos brenda vitit 2023”, thuhet në njoftimin e shpërndarë nga kryeministri Rama, bashkë me pamjet live nga prezantimi.

“Prezantimi i Projektit të Portit të ri Tregtar të Durrësit në Porto Romano nga studio holandeze “Royal Haskoning DHV”, një ndër pesë kompanitë më prestigjioze të botës në fushën e projektimit të porteve, aeroporteve, infrastrukturës tokësore e nëntokësore, energjitike, minerare, industriale, si edhe zhvillimeve urbane e rurale.

Një vepër me rëndësi kombëtare në funksion të tregut të përbashkët rajonal, projekti i Portit të ri Tregtar të Durrësit, integron hekurudhën Durrës – Prishtinë dhe Portet e thata në Kosovë e Maqedoni të Veriut”, vijon shënimi i kryeministrit.

Ministrja Belinda Balluku në fjalën e saj gjatë prezantimit, u shpreh se porti i ri nuk do të jetë kopje e atij të Durrësit, por një investim strategjik që do të mbulojë nevojat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, për 4 dekadat e ardhshme.

“Është një projekt strategjik që do mbulojë nevojat e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës, për 4 dekadat e ardhshme. Nuk është kopje e madhe e Durrësit, por investim i ri modern që do mbulojë kërkesat e 4 dekadave të ardhshme me një teknologji që nuk është aplikuar këtu. Në këtë investim 390 milion eurosh që punëson 1500 vetë, një vëmendje ka marrë ndërlidhja e terminaleve edhe hekurudhore”, tha Balluku.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?