Komunizmi dhe BE/ Presidenti gjerman, Steinmeier: Trajtimi i së shkuarës, i rëndësishëm

Kulture

Pas një vizite në Muzeun e “Gjethit”, ish seli e përgjimeve në diktaturë, presidenti federal gjerman Frank-Walter Steinmeier gjatë vizitës së tij në Shqipëri mori pjesë përreth 60 minuta, në një raund diskutimi mbi temën e trajtimit të së shkuarës komuniste në vendin tonë. Në takimin e moderuar nga pedagogia Jonila Godole, drejtuese e IDMC dhe me pjesëmarrjen e aktorëve kryesorë të kujtesës në vend, historianë e ish të përndjekur politikë, që rrëfyen përvojat e tyre të survejimit e mungesën e drejtësisë edhe pas rënies së regjimit, bundespresidenti, foli për përvojën e Gjermanisë në ballafaqimin me dy ekstremet e diktaturave. I pyetur për qasjen e përballjes me të shkuarën, si një shtet në proces negociatash me Bashkimin Europian, ai e vuri theksin te rëndësia që e shkuara ka për çdo vend.

“Trajtimi i të shkuarës është i rëndësishëm edhe për një vend që është në rrugën drejt Bashkimit Evropian, por edhe për vende të tjera; e ardhmja e demokracisë do të ishte e fuqishme vetëm nëse do të mund të përballemi me të shkuarën tonë. Në pozicion më të mirë janë ato vende që janë përballur me të shkuarën. Ka pasur disa që nuk e kanë bërë, por ne në Gjermani, jemi përballur, e kemi trajtuar të shkuarën. Unë dëgjova pjesëmarrësit, në fund nuk rezulton se është pyetja nëse shteti do të merrte përgjegjësinë për këtë çështje por do të ishte një lojë alternuese, me role që ndërrohen. Pra një shtet që merr një lloj përgjegjësie por edhe shoqëria që merr përsipër sfidën e trajtimit të së shkuarës”, ka deklaruar zoti Frank-Walter Steinmeier.

Presidenti u interesua të mësojë nga të rinjtë se si janë motivuar t’i qasen temës. Kurrikula shkollore, kultura e pandëshkueshmërisë, vijimësia e elitave të para ‘90-ës, mungesa e memorialeve në qytete, restaurimi i diktaturës në këndvështrimin e intelektualëve, krimet që përmenden pothuaj si dukuri natyrore pa autorë, tejkalimi i vetë ligjeve komuniste, qenë temat që u prekën në takimin me presidentin Steinmeier, organizuar nga ambasada Gjermane në Tiranë. Prania e tij dhe fjala e mbajtur në një takim gjatë një vizite zyrtare jep një mesazh të qartë në kontekstin kaotik shqiptar dhe tranzicionin e pambarimtë. Drejtuesi i Institutit të Historisë Afrim Krasniqi, kreu i Institutit të Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit, Çelo Hoxha, ish i përndjekuri Gëzim Peshkëpia, folën në panel, ndërsa të pranishëm ishin drejtues institucionesh.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?