Kreu Legalist, Axhami: Si sot, para 79-vitesh, data historike e formimit të OKLL, sot PLL

Aktualitet Politike Shkrime
SHPETIM AXHAMI- KREU LEGALIST
Si sot, para 79-vitesh.
Për herë të parë në historinë politike të Shqipërisë krijohet formacion politik me anë të një Kuvendi Kombëtar, krijohet Organizata Kombëtare Levizja e Legalitetit.
Kuvendi i mbajtur më 21 nëntor 1943 në Zall-Herr, pranë Tiranës, është data historike e formimit të OKLL, sot PLL, si formacion politik në Shqipëri.
Kjo ngjarje konsiderohet gjithashtu një gur themeli në historinë e formacioneve politike në Shqipëri, sepse për herë të parë kemi një Kuvend që shpall krijimin e një organizate politike.
PËRSE LINDI SI DOMOSDOSHMËRI MBATJA E KËTIJ KUVENDI?
Legaliteti e ka fillesën e vet politike që nga “Triumfi i Legalitetit”, më 24 dhjetor 1924, vit në të cilin u rikthye legjitimiteti i zgjedhjeve të dhjetorit 1923, të fituara nga Ahmet Zogu.
Ky moment shenjon gjithashtu, ndryshime të rëndësishme në krijmin e shtetit të parë, modern shqiptar.
Me fillimin e Luftës II Botërore zogistët u pozicionuan drejtpërsëdrejti kundra pushtuesit. Qëllimi i tyre ishte ; bashkimi në një front të përbashkët të të gjithë faktorëve politiko-ushtarakë, në luftë të përbashkët kundër pushtuesit.
Në Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942, Abaz Kupi deklaroi se: “Jam bashkuar me ju, me punue për të mirën e Shqipërisë e me luftue çdo okupator. Por në rast se do të formohen partira, unë jam mbrojtësi i Legalitetit qysh para 7 Prillit 1939. Jam me Mbretin Zog”.
Konferenca e Mukjes, ku Abaz Kupi pati rol kryesor në mbatjen e saj, ( 1-2 gusht 1943), arriti që të bashkojë çdo formacion në një front të përbashkët; në luftë ndaj pushtuesit.
Me ndërhyrjen e të deleguarve të PKJ-së, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoveçi etj, kryesisht për të penguar bashkimin e trojeve etnike shqiptare si edhe planinifikohej prej tyre, urdhëruan Enver Hoxhën që ta prish këtë marrëveshje.
Me 4 shtator 1943 u mblodh Konferenca e Labinotit, në të cilën u prish zyrtarisht Marrëveshja e Mukjes, duke i shpallur luftë të armatosur çdo rryme tjetër politike.
Kjo thikë pas shpine ndaj interesit kombëtar krijoi një shqetësim të madh tek zogistët. Ata kuptuan qartazi drejtimin dhe qëllimin që po merrte lufta partizane e PKSH-re. Në këtë situatë të rrëzikshme për kombin duhej vepruar…
Zogistët, në kordinim me Mbretin Zog I, kërkuan një shpjegim për prishjen e MM-es, përmes traktit të datës 19 nëntor 1943, por nuk morën përgjigje. Për këtë arsye më 20 nëntor 1943 në Herraj të Tiranës, u thirr një Kuvend Kombëtar për krijimin e një lëvizje politike. Kjo ngjarje lidhet ngusht me figurën e heroit të 7 prillit 1939, majorit Abaz Kupi, i cili luajti rolin kryesor në organizmin e saj.
Krijimi i: Organizata Kombëtare Lëvizja e Legalitetit sot: Partia Lëvizja e Legalitetit.
Rol të rëndësishëm si drejtues, organizues dhe delegatë të këtij kuvendi ishin: Abaz Kupi, komandanti i rezistencës antifashiste në Durrës, më 7 prillit 1939, dhe, protagonist i konferencave të Pezës dhe Mukjes. Atdhetari Ndoc Çoba, pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe në Konferencën e Pezës. Patër Lekë Luli, diplomati Rauf Fico, mësuesi Gaqo Goga e Osman Myderrizi, avokat Selim Damani, Xhemal Naipi, Mulë Delia, Hysen Meça, Xhemal Herri, etj.
Në krye të Rinisë Legaliste ka qenë avokat Ibrahim Sokoli, i cili udhëhoqi përsëri legalistët më 1990, pas rrëzimit të regjimit komunist.
Platforma programore e Kongresit ku u krijua OKLL ishte shumë e qartë:
-fuqizimi i organizimit ushtarak dhe luftë pa kompromis kundër okupatorit, deri në çlirimin e gjithë trojeve etnike shqiptare.
-kthimi në pushtet i Mbretit Zog, larguar me luftë në mënyrë jo legjitime, ku vetëm ai e gëzonte këtë të drejtë.
-krijimi i një Shqipërie të lirë, etnike dhe demokratike;
-vendosja e shtetit ligjor, duke siguruar me ligj të drejtat dhe liritë themelore të njeriut etj.
Të nesërmen, më 21 nëntor 1943, si sot para 79 vitesh, zogistët deklaruan formimin e Organizatën Kombëtare “Lëvizja e Legalitetit” (OKLL), sot, Partia Lëvizja e Legalitetit.
Përgjatë luftës funksionoi shtypi propaganistik i OKLL, gazeta “Atdheu”, me tirazh të lartë.
Drejtuesit e OKLL në mbështetje të platformës së themelimit, mbajtën komunikim të vazhdueshëm me Mbretin Zog, duke e informuar deri në detaje mbi situatën në Shqipëri.
Pozicionimi i forcave zogiste kundra bllokut nazi-fashist ishte i ndërkombtarizuar, aty ku duhej dhe ashtu si duhej.
Gjithashtu, me fakte historike dihet se pranë forcave të Abaz Kupit ishte atashuar Misioni Anglez. Ky mision udhëhiqej nga diplomatë e ushtarakë të rangut të lartë si; Bill Maclean, David Smiley dhe Julian Amery.
Gjatë kësaj peridhe, nën drejtimin e Komandant të Përgjithshëm të Forcave të Legalitetit, Major Abaz Kupi, forcat luftarake zogiste ishn rreth 10.000 luftëtarë, ndërsa në dispozicion të tyre ishin regjistruar rreth 25.000 të tillë.
Këto forca e afirmuan veten në beteja të suksesshme kundër okupatorit, ( beteja të dokumentuara).
OKLL u shtri pothuajse në gjithë Shqipërinë, si në veri, po edhe në jug.
Në këto formacione merrnin pjesë ushtarakë të shkolluar në akademitë perëndimore, të cilët kishin dhënë prova të talentit të tyre në artin luftarak, gjatë betejave me repartet e ushtrisë italiane.
Qëllimi kryesor politik i Lëvizjes së Legalitetit në këtë kohë ishte; rikthimi i Mbretit Zog në krye të shtetit shqiptar.
Përsa i përket çështjes kombëtare, Legaliteti kërkonte bashkimin në një shtet të të gjitha trojeve shqiptare.
Madje, Abaz Kupi e konsideronte “detyrë të çdo shqiptari që Kosovën e Çamërinë jo vetëm t’i pretendojë, por të luftojnë e të shkrihet deri në pikën e fundit të gjakut, derisa këto të bashkohen me Nanën Shqipni!”
Në lidhje me aleancat, Legaliteti ka qenë mbështetës i politikës së fuqive përëndimore, i SHBA-së dhe i Britanisë së Madhe.
Programi i hartuar qartazi ne mbështetje të çështjes kombëtare nga ana e OKLL-së, i shkaktonin panik udhëheqjes së Partisë Komuniste.
Kjo bëri që të nis një luftë e hapur kundra Legalitetit. Partia Komuniste thirri Kongresin famëkeq të Përmetit më 24 Maj 1944, ku vendimi kryesor, absurd, antiligjor dhe antikushtetues i tij ishte, “…t’i ndalohet Mbretit Zog kthimi në Shqipëri dhe të mos njihet asnjë qeveri që mund të formohej brenda ose jashtë vendit”.
Në përfundim të Luftës së Dytë Botërore legalistët u gjendën përballë alternativës së një konfrontimi ushtarak me forcat komuniste, ose mërgimit.
Pët të eleminuar vëllavrasjen dhe për arsye të tjera, ata zgjodhën të tërhiqeshin dhe të largoheshin jashtë vendit, duke vazhduar aktivitetin politik në shërbim të kombit aty ku ata u vendosën.
Legalistët e mbetur në Shqipëri, pas vitit 1945, janë vrarë e persekutuar në mënyrat më çnjerëzore prej regjimit komunist.
Megjithatë, nëpër burgjet politike kishte njëfarë organizimi të fshehtë të zogistëve, të cilët kishin si kod të fshehtë numrin 209, i cili simbolizon deri diku fjalën Zog.
Sot pas 79-vitesh nga krijomi i OKLL, legalistët ndihen krenar për çdo kontribut të tyre dhëne në vite në shërbim të interesit kombëtar me kërkesa të qarta programore për një Bashkimit Kombëtar dhe vendosjen e formës qeverisjes mbretërore.
“ATDHEU MBI TE GJITHA”🇦🇱
Tiranë, më 21 11 2022.
Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?