Edi Rama firmos konfiskimin e 15 kullave të ndërtuara pa leje, i kalojnë shtetit!
Kryeministri Edi Rama njofton sot firmosjen e konfiskimit të 15 kullave në Tiranë dhe jo vetëm, të cilat kanë disa kate shtesë apo edhe të ndërtuara plotësisht pa leje. Këto ndërtime do t’i kalojnë shtetit, tha Rama, pasi të gjitha hallkat ligjore tashmë janë kaluar.
“Sot kam firmosur pas kalimit në të gjitha hallkat ligjore, plot 15 procedura konfiskimi ndërtimesh, ku për qëllime fitimi janë tejkaluar kufijtë ligjorë të lejeve ose në disa raste është ndërtuar komplet pa leje fare. Ndërtimet e konfiskuara do të përdoren për interes publik. Hapësirat e marra do t’i kalojnë shtetit, që sipas rastit do t’i shfrytëzojë për mjedise zyrash për administratën, për strehim social ose shërbime sociale-citon Rama
“Çfarë nuk na dëgjuan veshët dhe ç’nuk ju thanë kur e nisëm operacionin e ligjzbatimit për shkeljet e lejeve të ndërtimit për qëllim fitimi! Por mes sfidave të mëdha të kohës që jetojmë dhe llumit të pandarë të gjysëm të vërtetave, që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, do të vazhdoj t’ju them atë që bëj, e do vazhdoj ta bëj atë që them”
Kur e nisëm çfarë nuk dëgjuam dhe me çfarë nuk u helmua opinioni publik! “Është thjesht show për të larguar vëmendjen”! Ja që nuk ishte e vërtetë. “Është pazar me oligarkët për t’ua kthyer mbrapsht të legalizuara metrat e katet pa leje”! Ja që as kjo s’ishte e vërtetë.
“Është amnisti për t’i shpëtuar nga ndëshkimi ligjor”! Gënjeshtër e madhe edhe kjo, sepse qeveria nuk e ka fuqinë ligjore të amnistojë askënd dhe edhe po të dojë madje dhe konfiskimet nuk i japin askujt imunitet nga drejtësia. E vërteta është që për të gjitha këto, letrat kanë kohë që flenë nëpër prokuroritë e rretheve.
Fatkeqësisht jetojmë në një kohë ultësie morale e tretjeje të normave etike, ku pasqyrat e informimit janë shëmbëlltyrat më ulëritëse të dezinformimit dhe ku gjysëm të vërtetat, të cilat janë edhe gënjeshtrat më të mëdha, mbushin pa pushim kanalet e komunikimit. Gjithsesi, unë do të vazhdoj të them atë që bëj dhe të bëj atë që them, deri në fund”, tha Rama.
Sipas kryeministrit, këto ambiente që tashmë me firmën e tij i kalojnë shtetit, do përdoren për zyra për administratën. Ai u përgjigj dhe atyre që e akuzuan për propagandë, duke thënë se asnjë metër dhe akt pa leje nuk do të kthehet mbrapsht.