Aktualitet

Rama për Portin e Durrësit: “Investimi më i madh në rajon trajtohet si aferë katundi për pula”

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas akuzave të bëra nga opozita për Portin e Durrësit.

Nëpërmjet një postimi në “Twitter”, Rama është shprehur se nuk di si t’u shpjegojë partnerëve ndërkombëtarë se “si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit”.

Rama bën me dije se në seancën e parlamentit javën tjetër, qeveria do të ndajë faktet me qytetarët shqiptarë rreth këtij projekti.

“Në një harmoni fatale të injorancës me ligësinë, motivuar prej urrejtjes politike si mishërim i mallkimit që e përndjek këtë vend në rrugën e shtetbërjes qysh prej 1912, ka plasur e dalë rrugëve një llum i pashoq akuzash mbi gjysmë të vërteta që janë edhe gënjeshtrat më të mëdha!
Investimi më i madh i huaj në rajon,që do të transformojë Durrësin e Shqipërinë dhe do impaktojë drejtpërdrejt ekonominë kombëtare, trajtohet si aferë katundi për pula,ndërsa kontrata më gjatë e negociuar e shtetit shqiptar me një palë tjetër, lexohet si defter hallvaxhinjsh!
Mirë vetes i thua duro si ke duruar se të dinë si veten e s’ke ç’u bën, po sekëlldi e madhe t’u shpjegosh të huajve se si mund të kulmojnë kaq lart injoranca me ligësinë dhe si mund të akuzohen investitorë të kalibrit të Muhammed Alabbarit për pazarllëqe të nivelit të Gërdecit!
Shteti shqiptar ortak me 33% në një investim të huaj s’ka qenë kurrë dhe për këtë kemi negociuar kaq gjatë, e s’i ramë shkurt me ligjin e Shqipërisë 1 €uro siç do kishin bërë përbaltësit tanë pasi t’i kishin kërkuar 33% për vete apo siç e kishin zakon të thoshin “gjys për gjys”!
Po mezi po e pres seancën e parlamentit javën tjetër, ku të gjitha faktet do t’i ndajmë mirë e mirë me shqiptarët, se me të shiturit për rubla e me urrejtësit profesionistë të banaqeve mediatike, s’ka të bardhë që nuk kthehet në të zezë dhe s’ka diell që nuk mbulohet me shoshë!”, ka shkuar Rama ne Twitter.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?