Tension në Divjakë, banorët përplasen me Policinë, thyejnë xhamat e kabinës dhe heqin tabelat (VIDEO)

Aktualitet

Tensione mes banorëve dhe policisë në protestën që po mbahet sot në Divjakë, kundër vendosjes së një trau që të çon në zonën e parkut. Edhe sot, banorët e Divjakës u mblodhën për t’i thënë jo vendosjes së një blloku që do të caktonte një tarifë për të hyrë brenda parkut të Karavastasë. Pasi marshuan drejt kabinës ku do të vihej dhe trau, protestuesit tentuan që të vendosnin një parullë, por janë ndaluar nga forca të shumta policie. Ata i kërkuan policisë që t’i lejonin të protestonin për të drejtën e tyre, por një kordon policie i ka penguar ata që t’i afroheshin kabinës.

“Mos na provokoni”, kështu brohorasin protestuesit duke iu drejtuar policisë. Ndërkohë, ata i janë sulur duke prishur dhe kabinën që do të shërbente si biletari.

DEPUTETJA E PD-SË, ILDA DHORI: POLICIA PO PENGON PROTESTËN

Deputetja e PD-së, Ilda Dhori deklaroi se policia po pengonte protestën e banorëve të Divjakës. “Nuk është e nevojshme prania e policisë këtu, pasi këta qytetarë janë në të drejtën e tyre. Ata kanë lënë punën për të mbrojtur të drejtën e saj. Policia po bën një veprim të shëmtuar duke penguar qytetarët dhe duke mos i lejuar ata që të kalojnë pas traut”, tha ajo nga protesta.

Me banderola të ndryshme që mbajnë në duar, banorët njëzëri thanë se janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund kauzës së tyre. Kreu i PD-së për Divjakën, Eduard Sharka tha se trau është vendosur në mënyrë të paligjshme.

“Ai park i mban të gjallë, me oksigjen. I vetmi tra i ligjshëm është ai që ndan kufijtë, por jo një rrugë nacionale. Çdo qytetar i Divjakës, dhe çdo turist e ka të drejtë që do të shkojë drejt plazhit. Mënyra e vendosjes së traut është simbol i arrogancës, i mungesës së lirisë. Qëllimi i vetëm i kësaj qeverie është punësimi i disa patronazhistëve. Bizneset paguajnë taksa, por do të preken nga vendosja e këtij trau.”, tha demokrati.

Ndërkohë, një prej banorëve tha për gazetarin e News24, Ervis Kuçi se “Edhe ajrin që na ka dhënë i madhi Zot, po na e japin me lekë!”.

Teksa banorët marshonin drejt rrugës së vetme që të çon drejt parkut, u vu re prani e madhe e forcave policore. Furgonë policie ndonëse i ranë borive për të hapur rrugën, turmën e qytetarëve ecën qetësisht duke mos ju bindur forcave blu.

Kujtojmë se dje në protestë pati përplasje mes banorëve të zonës dhe policisë.

(BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?