“Bija e vjetër e nënës së re”, Preç Zogaj vjen me një novele për nënën

Kulture

Një libër për nënën dhe një kohë të errët ku ngërthehet tradita patriarkale dhe një politikë autoritare që shënjon jetët e banorëve në veri. Novela “Bija e vjetër e nënës së re” e Preç Zogajt, bazohet mbi rrëfimin e një gruaje në fundin e jetës, si një rrekje për të shkundër ndërgjegjet dhe për të gjetur paqen, duke ritakuar, imazhin dhe kujtimet e së ëmës dhe një traumë rinie

“Vjen si një sintezë e një ngjarje që është tronditëse dhe që ka të bëjë me një thyerje të zakoneve, e një virtyti që është në ashtin e racës e njerëzimit nga ndërhyrja e një aksidenti të historisë që është lufta e klasave. Unë temës së historisë nuk i kthehem me qëllim. Për të marrë hakun e padrejtësive e absurditeteve në fund të fundit nuk ka tjetër, veç letërsisë. Milan Kundera thotë se te ndreqja- asgjë s’do jetë e ndrequr, por e harruar. Ndreqja i mbetet harrimit- është e tmerrshme”-thotë Zogaj.

Vitet kur Shqipëria ngryset nën grinë komuniste ndërthuren me fatet njerëzore që papritur përballen me habinë se si një sistem shenjon familjet dhe zhbën traditat, pa e çliruar gruan gjithsesi as në kontesktin familjar, as atë shoqëror ndërsa traditat e Mirditës e Lezhës janë shtrati artistik i veprës.

“Unë mendoj që letërsia duhet të mallëngjejë e të prekë. Me të vërtetë është një libër që e dua, e kam shkruar me frymëzim. Është një libër për nënën, dhe tema e nënës është një temë qendrore edhe në poezinë time” përfundon Zogaj.

Poet e shkrimtar, Zogaj ka sjell në letërsi një histori të afërme duke i veshur trille letrare për të rrëfyer një peng dhe për t’i blatuar nënës një vepër që bëhet më e dashura mes shumë syresh.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?