“Porti i Durrësit”, News24 zbulon planin e biznesit

Aktualitet

News24 ka siguruar plan biznesin e kompanisë guackë “Eagle hills real estate development sh.p.k” e cila do të zhvillojë të ashtuquajturin projektin e investimit strategjik “MARINA & JAHTET E DURRËSIT”, i cili do ta kthejë Portin e Durrësit nga tregtar në turistik. Të ardhurat që vetë kompania ka deklaruar se do të realizojë nga shitja e apartamenteve do të jetë 2,2 miliardë euro, dhe 1 miliardë euro shtesë nga aktivitetet e tjera për një total prej 3,2 miliardë euro.

“Eagle hills real estate development sh.p.k”, thotë se fitimi neto, pra paratë që do të fusë në xhep kompania pasi ka paguar taksat, është 854 milionë euro, ndërsa investimi llogaritet 2 miliardë euro. Raporti tregon një normë fitimi të majme prej 42,8 përqind. Duke shfletuar dokumentin zbulohet se porti i Durrësit do të kthehet në zonën më të populluar në planet, me 12 646 apartamente në një sipërfaqe prej 81 hektarësh. Duke marrë në konsideratë se një familje shqiptare është e përbërë mesatarsisht nga 3,77 anëtarë, dendësia për kilometër katrorë do të shkojë në këtë zone në mbi 59 mijë banorë për kilometër katrorë, tre herë më shumë se qytetet vertikale super të populluara të Hong-Kongut dhe Singaporit, ndërkohë që do të vendosë rekordin botëror.

Kompania thotë se në zonë do të ketë 902 dhoma hoteli me 4 dhe 5 yje, si dhe vetëm 317 dyqane pakice. Në vitin e parë çmimet e apartamenteve do të nisin me 1500 euro për metër katrorë në vitin e parë, ndërsa në vitin e 20 të arrijnë në 2185 euro për metër katrorë thotë kompania zhvilluese. Në projekt nuk përmendet në asnjë rast, nëse për rreth 50 mijë banorët shtesë të Durrësit do të ketë shkolla të reja, kopshte, klinika mjekësore apo qendra të tjera shërbimi publik. Projekti deri tani, parashikon apartamente, vende parkimi, dyqane, hotele dhe vend ankorimi mjetesh lundruese.

Në atë që qeveria thotë se do të jetë zonë turistike elitare në Mesdhe çmimi për një natë në hotel do të jetë nga 80 deri 140 euro, duke pësuar rritje 2% në vit. Por, si do të sigurohen paratë e investimit? Kompania thotë se hapat e parë paratë do të sigurohet nga vetë aksionerët dhe bankat deri në vlerën 6,8%, ndërsa në 93,2%e investimit do të financohet nga kontratat e porosisë për blerjen e apartamenteve dhe njësive të tjera. Vetë qeveria është kujdesur në marrëveshjen me kompaninë që ta përjashtojë investitorin nga taksa e ndikimit në infrastrukturë e cila parapaguhet dhe taksa e strehimin social.

Hartat nga ana tjetër tregojnë se në fazën e parë puna do të fillojë në kalatën lindore, një pjesë e së cilës përdoret si terminal mineralesh dhe në pjesën tjetër gjenden ish depozitat e karburanteve të cilat kanë më shumë se 15 vite që janë spostuar në Porto Romano.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?