Çel siparin ‘Festivali Teatror Mbarëkombëtar’ në Gjirokastër

Kulture

Në Gjirokastër ka çelur siparin Festivali Teatror Mbarëkombëtar që për 7 net me radhë do të bëjë bashkë mjeshtrat e mëdhenj të teatrit dhe të skenës. Edicioni i tretë i këtij festivali mban emrin e të madhit “Ndrek Luca”. Festivali ka përzgjedhur çdo vit emrin e një prej mjeshtrave të mëdhenj të skenës në nderim të arritjeve të tyre. E pranishme në ceremoninë e çeljes së këtij eventi artistik ishte aktorja Mimika Luca që sfidoi 85 vitet e saj mbi supe për t’u rikthyer në vendin e origjinës së saj.

Aktorët gjirokastritë u uruan mirëseardhjen trupave të tjera simotra duke interpretuar të parët në skenën e rikonstruktuar së fundmi me dramën “Buzëqeshje e hidhur” e regjisorit Mitro Kutali që solli në skenë aktorë të rinj, për herë të parë, pas dekadash mungese. Juria e festivalit që përbëhet nga emra të njohur të artit ka vlerësuar praninë e trupave pjesëmarrëse dhe interesin në rritje të publikut.

Për një javë rresht Gjirokastra do të jetë skena mbarëkombëtare e teatrit dhe qyteti mikpritës i artistëve duke krijuar traditën e mirë në udhën e ruajtjes së artit skenik dhe vlerave që ai përcjell.

 

 

 

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?