SPAK kërkon rikthimin në burg të Alqi Bllakos

Aktualitet

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen në ngarkim të ish-deputetit Alqi Bllako, mbi ankimin e bërë nga SPAK kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për dhënien e masës “arrest shtëpie” për ish deputetin.

Mësohet se seanca gjyqësore në GJKKO është caktuar që të mbahet më datë 9 nëntor, në orën 09:00.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka regjistruar çështjen nr. 180 akti, datë 04.11.2022, në ngarkim të personit nën hetim ish-deputetin Alqi Bllako, mbi ankimin e paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar kundër vendimit nr. 382, datë 06.10.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

Trupi gjykues monokratik i përbërë nga gjyqtarja Iliriana Olldashi caktoi seancën gjyqësore për shqyrtimin e kësaj çështje më 09.11.2022, ora 09:00”, thuhet në njoftim.

SPAK ankimoi  në Apelin e Posaçme vendimin e shkallës së parë që i bëri Bllakos zëvëndësim të masës së sigurimit nga arrest në burg në arrest në shtëpi.

“Ne kemi qenë kundër lirimit në gjykatë sepse nuk ekzistojnë kushtet për ta liruar. Do bëjmë ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit”, thuhej në reagimin e SPAK.

Gjykata vendosi më 6 tetor caktimin e masës “Arrest shtëpie” për Bllakon, i cili u arrestua më 31 mars pas akuzave për inceneratorin e Fierit.

Ndryshimi i masës për Bllakon, u bë pasi ish deputeti socialist kishte kërkuar disa herë lehtësimin e masës ekstreme ndaj tij.

Bllako u arrestua më 31 mars të këtij viti me akuzat “shpërdorimit të detyrës” dhe “korrupsionit”, i dyshuar si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Fierit, duke firmosur disa shkresa që tjetërsuan truallin në Fier.

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?