Belinda Balluku: Familja ime ka në kurriz 135 vite burg

Aktualitet

Zv.kryeministrja Belinda Balluku thotë se përmendja e familjarëve është një nga sportet më të ndyra në parlament. Në një intervistë për Euronews Albania, tha se çdo vepër e gjyshit të saj, që vazhdimisht përmendet nga deputetët e PD-së, do të gjykohet nga historia.

“Një fakt që nuk mohon dot askush për familjen time, për familjen Balluku dhe nuk flas këtu për farefisin, po flas këtu për gjyshin tim, gjyshen, mamanë, babain, xhaxhallarët dhe dy hallat e mia, pra për familjen e ngushtë, familja ime ka në kurriz 135 vjet burg dhe internim dhe nuk e di kush nga deputetët e parlamentit ka gojë të zërë emrin e familjes time,” u shpreh Balluku.

Ajo sqaroi se për të personalisht ligji i hapjes së dosjeve është shumë i rëndësishëm.

Zv.kryeministrja Belinda Balluku ka folur dhe për sulmet kibernetike të Iranit dhe është shprehur se ato janë kryer nga profesionistë. Sipas saj, sulmet që kanë goditur vendin tonë janë nga më të egrat dhe kjo e thënë nga ekspertë e institucione ndërkombëtare.

“Ka qenë një sulm i përqendruar profesional, jo nga amatorë. Është një sulm i sponsorizuar nga një shtet tjetër që ka kapacitete ekonomike për ta bërë një sulm, që e ka bërë edhe në vende të tjera. Është përballuar në mënyrën më të mirë dhe ajo që është më e rëndësishme është kthyer në një mësim që edhe pse një vend i vogël ne duhet të kemi të njëjtën mburojë kundër këtyre sulmeve”, u shpreh Belinda Balluku.

Total 1 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?