Zekthi: PD në krizë totale, nuk nxjerrin kandidat të përbashkët

Aktualitet Intervista

Pedagogu Fitim Zekthi i ftuar në rubrikën ‘Opinion’ në News24 ka folur mbi hapjen e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit ku deklaroi se kjo është një çështje shumë delikate dhe se ky është vetëm çereku i punës.

Ai shtoi se hapja e Dosjeve sjell vetëm zhvillime pozitive në vend pasi sipas tij në politikë ka pasur dhe ende mund të ketë ish-bashkëpunëtorë të Partisë së Punës dhe të ish-Sigurimit të Shtetit.

Zekthi gjithashtu foli mbi situatën brenda Partisë Demokratike ku tha se ata janë në një krizë totale dhe se nuk do të dalin me kandidatë të përbashkët në zgjedhje, gjë që edhe nëse ndodh sipas tij nuk do ketë vlerë pas ofendimeve që palët kanë shkëmbyer me njëra-tjetrën.

Sa i përket vizitës së kryeministrit Rama në Izrael, Zekthi deklaroi se vendi është i kërcënuar nga sulmet kibernetike të Iranit, vend i cili ka konflikt të tillë edhe me Izraelin i cili mund të ndihmojë Shqipërinë për shkak të ekspertizës që zotëron në këtë fushë.

 

 

“Hapja e Dosjeve është një çështje shumë delikate, ka pasur shumë debate. Më në fund është bërë një çerek pune që është arritur hapja e këtyre dosjeve. Puna e plotë është dekomunsitzimi dhe kompensimi i viktimave e nderimi i tyre. Njerëz që vijnë nga agjentura e Sigurimit nuk do jenë më pjesë e politikës, njerëz të cilët gjatë viteve kanë qenë me shumicë në politikë dhe e kanë kontrolluar atë. Në këto 32 vite nuk është publikuar kush janë agjentët e sigurimit në politikë, dikush mund të ketë qenë ministër apo kryetar apo deputet dhe ndërkohë ka pasur shantazhe. Teorikisht është vërtetuar se transferimi i pushtetit nga komunizmi ndodh në mënyrë të negociuar, pushtetin e merr një klasë me bekimin e asaj të mëparshmes.

Rama mesa duket për qëllime të shtetasit I. M. kërkoi të ndryshonte ligji për hapjen e Dosjeve duke hequr klauzolën e verifikimit nga komisionet e mëparshme. Alibeaj tha se nuk mund të bëjmë ndryshime vetëm për të hequr barrierën e atyre që kanë kaluar komisionet, por dosjet duhet të hapen për të gjithë që ka një rol të caktuar në vend. Politika nuk mund të ndërtohet mbi hije. Kemi pasur dhe mund të kemi ende ish-agjentë të Sigurimit të Shtetit dhe dosjet e tyre mund të jenë në dorën e vendeve të tjera si për shembull Serbia. Kjo çështje sjell vetëm të mira, ata që dalin kundër mund të preken.

Kam një keqardhje nga grupi i Berishës pasi tregoi se udhëhiqet nga epshe të pushtetit dhe nuk i intereson për gjëra të tjera. Nga hapja e Dosjeve ka vetëm të mira. Nuk ka kuptim, çdo vend në Europën Lindore ka gjetur një mënyrë që të hapen dosjet e të kaluarës.

Berisha këtu thotë që PD është më e fortë se kurrë. Këto janë muhabete turp e faqe e zezë. Berisha mblodhi një grup në stadium, pushtoi selinë dhe tani thotë që PD është e imja. Flasin për bashkim kur i kanë thënë njëri-tjetrit hajdut e maskara dhe tani kërkojnë të bashkohen, kjo na bën shumë keq, është kriza reale. Nuk do dalin me kandidat të përbashkët në zgjedhje, edhe nëse dalin nuk do ketë vlerë.

Izraeli është lider në shumë fusha dhe Irani deri më sot është kërcënimi ynë kryesor për çështjet kibernetike, dhe Izraeli ka një luftë me Iranin, kështu që vizita e Ramës është e drejtë. Jemi në situatë alarmante në lidhje me këto sulme, përderisa hyjnë lehtësisht në domain-et tona jemi totalisht të zhveshur. Irani mund të na bëjë gjithçka në sulmet kibernetike. Mund të goditen edhe gjëra të tjera, sistemi bankar, shërbimi informative. Përderisa kanë bërë këto sulme mund të bëjë të tjera”, deklaroi Zekthi.

(BalkanWeb)

Total 0 Votes
0

Tell us how can we improve this post?

+ = Verify Human or Spambot ?